Në këto ditë të ftohta në poliklinikën “Bit Pazar” nuk ka ngrohje

Në këto ditë të ftohta në poliklinikën “Bit Pazar” nuk ka ngrohje

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ndërkohë që termometri shënon temperatura nën zero, në poliklinikën “Bit Pazar” nuk ka ngrohje…

Pacientët dhe punonjësit e kësaj shtëpie të shëndetit po ballafaqohen me këtë problem prej ditësh tashmë. Disa nga pacientët e anketuar nuk arritën të marrin shërbimet, pasi mjekët e tyre nuk ishin prezentë, por nuk e dinin nëse arsye për këtë ishte mungesa e ngrohjes apo jo.

“Ktheva prapë…. Jo nuk është në rregull, minus katër dje ftohtë ka qenë shumë, s’kanë faj edhe punëtorët, ftohtë nuk punohet”.

Mjeku nuk ka punuar për këtë arsye?

Se di unë, për insulin thash shkova, s’kam hyp te mjeku, tash mora.”

“Jo unë vetëm kalova aty pari, nuk ishte mjekja ime edhe…”.

A ju duk ftohtë?

Nuk e kam përcjell atë hesap kisha veç dëshirë të kryej punë edhe hajt.”

“Unë erdha menjëherë, se terminin e kam tash, ftoftë ishte.”

“Normalisht se nuk është në rregull që thuhet por tash nëse është krizë të gjithë do të ndihmojnë, çfarë të them, do të durojmë do të vishemi…”.

Por mungesa e ngrohjes nuk është problemi i vetëm i kësaj poliklinike. Një pjesë e saj ballafaqohet edhe me mungesë të energjisë elektrike, punonjësit e reparteve të caktuara me qëllim ofrimin e shërbimeve, pajisen me rrymë përmes kabllove zgjatuese nga repartet e tjera. Këtë gjë e konfirmon edhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Shkup Besim Koka, sa i përket çështjes së ngrohjes ai sqaron se ky problem ka ardhur si pasojë e vonesës me furnizim të naftës dhe se i njëjti do zgjidhet pasdite. Ai tha se mungesa e ngrohjes nuk ka ndikuar aspak në ndërprerjen e punës së mjekëve.

“Është e vërtetë se kemi problem me ngrohjen për shkak të vonesës me furnizim të naftës për nxehje. Porosia është bërë në kohë. Furnizuesi na ka dhënë shpjegim se shkaku për vonesën është problemi teknik. Sot në orën 14:00 jemi furnizuar me 13 ton naftë në të gjitha klinikat ku kemi mungesë dhe ngrohja do të funksionojë normalisht. Përndryshe në këtë periudhë nxehjen e kemi rregulluar me kondicioner dhe nuk ka pasur problem, përveç në sektorin e gjinekologjisë ku ka pasur një defekt më serioz të energjisë elektrike dhe aty kemi bart rrymën prej krahut tjetër të poliklinikës dhe ka funksionuar normal. Riparimi i rrjetit të energjisë elektrike do të bëhet të shtunën dhe jo ditë pune, pasi duhet të ndërpritet rryma në të gjithë poliklinikën”, tha Besim Koka, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Shkup.

Edhe nga Ministria e Shëndetësisë, thanë se mungesa e ngrohjes ka ndodhur për çështje teknike dhe se do të zgjidhet shumë shpejt. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button