Në konkursin për pjesëtarë të njësisë elitare “Tigri”, paraqiten kandidatë nga të gjitha bashkësitë etnike

Në konkursin për pjesëtarë të njësisë elitare “Tigri”, paraqiten kandidatë nga të gjitha bashkësitë etnike

Gazetar: Adrian Kerimi

Në konkursin e brendshëm-trajnues për pjesëtarë në Njësinë Speciale të Anti-Terrorit “Tigri” ka të paraqitur nga të gjitha etnitë në vend. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski thotë se përfaqësimi do të varet nga kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë konkurrentët, shkruan Alsat.

I pyetur nëse pas këtij konkursi do të thyhet diskriminimi etnik në këtë njësi, Spasovski tha se kjo varet nga kandidatët.

“Nga njoftimi që kam, kemi të paraqitur nga të gjitha etnitetet. Shpresoj se çdo një kandidat i cili është pranuar në trajnim do të kalojë me sukses, do ta përballojë atë, do t’i përkushtohet dhe çdonjëri që i plotëson kushtet dhe kriteret për këtë njësi elitare e cila është shtylla e sigurisë shtetërore, për mua do të paraqet një kënaqësi që të jetë pjesë e atij ekipi”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Hapjen e konkursit të brendshëm, njeriu i dytë i policisë Nazim Bushi e kishte publikuar duke i bashkëngjitur thirrjen për paraqitje dhe afatet e parapara për kontrollet e kryera në mesin e muajit prill. Numri i të paraqiturve dhe struktura etnike e tyre mbetet informacion i klasifikuar brenda institucional.

Përveç strukturës monoetnike, këtë njësit në korrik të vitit 2021 e karakterizuan edhe skandalet me arrestim e pjesëtarëve të kësaj njësie mbi dyshimet për përdorim të drogës. Gjatë kontrolleve që kishte realizuar MPB-ja ishte konstatuar se njëri prej tyre është përdorues droge, ndërsa të tjerët kanë rezultuar negativ në substanca narkotike. Aso kohë një numër i pjesëtarëve “Tigri” kishin kërkuar shfrytëzimin e pushimit mjekësorë me qëllim mos nënshtrimin e kontrolleve laboratorike mbi dyshimet për përdorim droge.

“Tigri” është njësi e operacioneve speciale kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Më 13 mars ky njësit shënon 41 vjetorin e themelimit. Deri tani në këtë njësi kanë kaluar 700 pjesëtarë, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë shqiptar apo i një etnie tjetër. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button