Në Kosovë, qeset e plastikës ende pa pagesë!

Ndonëse, autoritetet në Kosovë kishin konfirmuar se nga janari i këtij viti qeset e plastikës do të bëheshin me pagesë, një masë e tillë nuk ka nisur të aplikohet.

Arsyeja e mosaplikimit të kësaj mase, sipas zëvendësministres të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha është mosfinalizimi në tërësi i një udhëzimit administrativ që e rregullon këtë çështje.

“Ky udhëzim administrativ për ambalazh dhe mbeturinat e ambalazhit nuk rregullon vetëm çështjen e qeseve të plastikës, por edhe sistemin e rimbursimit të depozitave për shishet [xham, kanaçe dhe plastikë] dhe te kjo pjesë kemi hasur disa mangësi për rregullimin e të këtij sistemi. Andaj, jemi detyruar që ta shtyjmë miratimin e këtij udhëzimi derisa sa të rregullojmë dhe pjesën tjetër”, thotë ajo.

Çavdarbasha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë nuk jep ndonjë afat kohor se kur mund të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ. Por, ajo shton se pas ndryshimeve të bëra, udhëzimi administrativ duhet edhe njëherë të dalë në diskutim publik dhe pastaj të shkojë në Qeveri.

Sipas Çavdarbashkës, vendosja e një çmimi për qese të plastikës do të jetë fazë tranzitore, pasi që synimi është që në të ardhmen të largohen nga përdorimi qeset e plastikës.

Për natyrën qeset e plastikës janë të dëmshme dhe atyre u duhen shumë vite të dekompozohen.

Përveç kësaj, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike.

Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), çdo minutë, në të gjithë botën, përdoren një milion qese të plastikës.

Reklama

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 janë grumbulluar 485 mijë tonë mbeturina komunale – ku përfshihen edhe qeset e plastikës.
Gjatë një viti, mesatarja e mbeturinave për kokë banori është 273 kilogramë apo 0.75 kilogram në ditë.

Disa qytetarë të anketuar japin mendime të ndryshme sa i përket udhëzimit administrativ, i cili do t’i bënte qeset e plastikës me pagesë.

“Qeveria po dëshiron përfitime nga popull. Çdo qytetarë me paga të vogla nuk mundet me blejë edhe qeset. Më mirë është të marrimnjë shportë me vete”, thotë Ilmi Sojeva nga Prishtina.

“Për mua nuk do të ishte mirë të bëhen me pagesë sepse këto qese unë i përdori edhe për mbeturina edhe për nevoja tjera”, thotë Sylejman Mustafa, një qytetar tjetër rreth të 50-tave.

LEXO EDHE:

Back to top button