Në mesnatë skadon afati për kontrollimin e të dhënave në Listën Zgjedhore

Në mesnatë skadon afati për kontrollimin e të dhënave në Listën Zgjedhore

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Mundësia për kontrollimin e Listës Zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe ato parlamentare të 8 Majit skadon në mesnatë. Për ata që nuk kanë arritur që në kohë të gjejnë të dhënat e tyre në listë, kanë edhe disa orë kohë. Deri në mesditë, në zyrat rajonale të KSHZ në Tetovë, ka pasur 2309 kontrolle nga ana e qytetarëve.

“Nga këto zyra thonë e verifikime ka pasur por shumë pak. Ndërkohë që afati për kontroll të emrit nëse je apo jo në listë zgjedhore përfundon sonte në orën 24”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

Edhe pse afati po përfundon së shpejti, disa persona hasnin në probleme, pasi emrat e tyre nuk figurojnë në listën zgjedhore.

“Nuk jam në listën zgjedhore për këtë gjë erdha të shoh çka ndodh. Nuk kam asnjë të dhënë, andaj tash vijë ta shoh ça është puna, nuk kam vdekur unë të mos jem në listë. Apo mos ndoshta është mos vlefshmëria e letërnjoftimit”, u shpreh një qytetar.

Me përditësimet që janë bërë deri në mesditën e sotme, lista zgjedhore në Tetovë për zgjedhjet e 24 prillit dhe ato të 8 majit, do të numëroj 86.160 votues, të cilët do jenë të shpërndarë në gjithsej 117 vendvotime. Komuna më e madhe rurale pas Tetovës, është ajo e Bogovinës, e cila numëron 28.470 votues që do jenë të shpërndarë në gjithsej 38 vendvotime, e pasuar nga Komuna e Zhelinës me 25.031 votues dhe 35 vendvotime, e Tearcës me 22.382 votues në 30 vendvotime, Bërvenica me 15.855 votues dhe 24 vendvotime dhe Komuna e Jegunocit me rreth 10.000 votues të ndarë në 21 vendvotim. Komisioni Shtetëror Zgjedhor, pritet nesër të informojë për rrjedhën dhe numrin e qytetarëve që kanë bërë kontrolle në nivel shtetëror, ndërsa apelojnë deri tek qytetarët që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për ta verifikuar emrin e tyre për të shfrytëzuar të drejtën e votës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button