Në prag të “ngrirjes” askush nuk uli çmimet

Në prag të "ngrirjes" askush nuk uli çmimet

Gazetar: Adnan Qaili

Raftet e marketeve mbeten të mbushura me produkte ushqimore, sigurisht me çmime të palëvizshme. Megjithëse deri më 16 mars kanë afat t’i ulin çmimet e pastave dhe produkteve të qumështit, shitësit shfrytëzojnë deri në pikën e fundit mundësinë për të shitur këto prodhime me profit 10-15% më të lartë. Qytetarët thonë se këto masa janë të vonuara dhe erdhën pasi që një vit më radhë u rrjepën xhepat e tyre. Pas rritjeve të vazhdueshme të çmimeve, dy vendimet e reja që do hynë në fuqi nga e enjtja, sërish thonë se do të jenë të pamjaftueshme kundrejt të ardhurave të tyre dhe standardit të ulët të jetesës.

“Të gjitha artikujt e përditshëm janë të shtrenjta. Këto që i përdorim më shumë si buka, qumështi, mishi. 200 denarë 1kg peshk merluc të Argjentinës, më shtrenjtë se në Evropë, vërtetë më shtrenjtë. Atje janë 3€ me pagat e tyre mbi 2,000€ a te ne pagat janë 400-500€”, tha një qytetar.

“Nuk hasa në zbritje sepse akoma janë shumë shtrenjtë çmimet. Për ne qytetarët janë shumë shtrenjtë. Ja, unë si prind vetushqyese që kam dy fëmijë, njërin prej tyre student me të vërtetë e kam vështirë, me 14,000 denarë pension nuk jetohet”, u shpreh një qytetare.

“Nuk paska, bash po e shoh kuponin fiskal por nuk ka lirime siç duhej të ishin. Tregtarët po bëjnë ekstra profit, pra marketet. Djathi është shtrenjtuar shumë, bile 200% nga 250 denarë tani më i liri është 500. Gjithçka është shtrenjtuar, për shembull krekerët nga 38 në 55 denarë që dmth 80% shtrenjtim”, theksoi një qytetar.

“Mbesa ime është viti dytë në fakultet, më thotë gjyshe më duhen 100€ për regjistrimin, 100€ semestrin e këtu na dalin problemet, nuk dua të kritikoj por duhet të kursej nga kafshata gojës për tu ndihmuar atyre”, shtoi një qytetare.

Nga sektori i industrisë ushqimore në Odën Ekonomike thonë se masat e shtetit do të ulin pak profitin e tyre, por thonë se gjatë javës së ardhshme do të dalin me qëndrim nëse janë të gatshëm të ulen për bisedime me autoritetet për rikthimin e subvencionimit të rrymës nëse duan të ulin çmimet deri në 20%.

“Pas bukës, me ngrirjen e çmimeve të pastave dhe produkteve të qumështit, të njëjtat nuk do të mungojnë nëpër pikat e shitjes, por ne do të përballemi me pasoja të humbjeve nga këto vendime. Deri në fund të majit sa do të zgjasë kjo masë, shpresojmë të mos ketë rritje të reja të çmimeve të lëndëve të para nga importi, gjë e cila do të na detyronte të zvogëlojmë prodhimin për të ulur edhe nivelin e humbjeve tona”, thonë nga Sektori Industrisë Ushqimore në Odën Ekonomike.

Autoritetet një ditë më parë paralajmëruan se në vazhdim do të analizojnë edhe ngrirjen eventuale të çmimeve për sheqerin, vezët dhe orizin vendor. Por, të larta mbeten ende çmimet e industrisë së mishit dhe të fruta perimeve. Këto të fundit, megjithëse bëjnë pjesë në shportën e konsumatorit ku marzha e TVSH-së është e ngrirë në 10% të shitjes me pakicë, nuk janë në plan të ketë ngrirje të çmimeve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button