Në pritje të identifikimit të dy viktimave nga aksidenti në Kroaci

Identiteti i tetë viktimave nga aksidenti me autobus në Kroaci tashmë është konfirmuar kurse për dy të tjerë po vazhdon procesi i identifikimit, sipas policisë në Kroaci.

Dhjetë vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Pasagjerët me prejardhje nga Kosova që u lënduan në aksidentin me autobus në Kroaci janë në gjendje stabile.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Sllavonski Brod, Josip Samarxhiq konfirmoi për media se shumica e pacientëve pritet të lirohen nga spitali.

“Dy pacientë me rrezik për jetën janë ende në njësitë e kujdesit intensiv dhe gjendja e tyre po monitorohet nga afër dhe i nënshtrohet metodave të kujdesit intensiv. Në orët e paradites, shtatë operacione u kryen te të lënduarit e aksidentit të djeshëm të trafikut, ndërsa gjatë ditës, 20-25 pacientë do të lirohen për trajtim në shtëpi”, tha Samarxhiq.

Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla pasi vizitoi të plagosurit të hënën në mëngjes, tha se po punojnë në transportimin e të lënduarve.

“Në koordinim me autoritetet kroate po përpiqemi të organizojmë transportin e të plagosurve sa më shpejt të jetë e mundur. Sot ne do të përpiqemi të transportojmë disa nga njerëzit tanë që nuk kanë lëndime serioze në Kosovë dhe që disa të kthehen në Gjermani”, tha ai.

Ministri tha se ata vizituan të plagosurit dhe biseduan me ta si dhe me familjarët e të vdekurve.

“Të gjithë janë mirënjohës për gjithçka, spitali, policia dhe të gjitha institucionet. Familjet e viktimave e kanë më të vështirë, por të gjithë po punojmë së bashku për ta bërë më të lehtë për ne”, tha Sveçla.

I pyetur nëse shoferi i arrestuar do të transferohej në Kosovë, ai tha se po presin të gjejnë një zgjidhje.

“Ne jemi këtu për të respektuar ligjet e Republikës së Kroacisë, aksidenti ka ndodhur këtu, ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje”, shtoi ai.

Shoferi i arrestuar, 52 vjeçar, shtetas i Kosovës, është dërguar në paraburgim, sipas policisë në Kroaci.

Ai dyshohet për veprën penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku.

“Dënimi për një vepër të tillë është deri në 15 vjet burg”, tha Nikola Milina, drejtor i përgjithshëm i policisë në Kroaci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës udhëtuan të dielën drejt Kroacisë.

Disa prej tyre u kthyen tashmë në Kosovë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.

LEXO EDHE:

Back to top button