Në samitin ‘Ballkani i Hapur’ që mbahet sot në Beograd, pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime

Në samitin ‘Ballkani i Hapur’ që mbahet sot në Beograd, pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve mes vendeve të kësaj nisme.

Në këtë takim do marrin pjesë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Agjencia serbe e lajmeve, Tanjig bëri të ditur se në takimin në Beograd do të marrin pjesë edhe kryeministri malazes Dritan Abazovic, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Zoran Tegeltija, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe minstri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Në orën 10 është planifikuar një ceremoni hapjeje, ku do të marrin pjesë drejtuesit e Open Balkan.

Në orën 11:00 ata do të takohen me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për tërheqjen e investimeve në kuadër të nismës ”Open Balkan”.

Nga ora 12:00 deri në orën 13:00, drejtuesit do të takohen me përfaqësues të grupeve të krizës të Iniciativës për Furnizimin me Ushqim dhe Energji.

Nënshkrimi i dokumenteve dypalëshe dhe një konferencë e përbashkët për shtyp janë planifikuar për në orën 13:00.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi një ditë më parë pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua marrëveshja që do nënshkruhet mes vendeve të ‘Ballkanit të hapur”, se kjo marrëveshje thellon më tej bashkëpunimin.

Krifca sqaroi se marrëveshja që pritet të nënshkruhet parashikon ngritjen e një mekanizmi që garanton sigurimin ushqimor, mbajtjen e tregjeve të hapura, pa ndërprerje e pa përcaktuar asnjë tavan, siç ka ndodhur në muajt e kaluar, pa përmendur asnjë kuotë.

Ajo tha se kjo është marrëveshje e një tregtie të lirë të pacenuar nga efektet e luftës në Ukrainë të cilat kanë krijuar një ndërprerje të zinxhirit ushqimor në të gjitha vendet e Europës apo të botës.

 

Ajo theksoi se kjo marrëveshje thellon më tej bashkëpunimin mes vendeve të “’Ballkanit të hapur’ dhe krijon një siguri më tepër për konsumatorët dhe qytetarët e vendeve të ‘Ballkanit të hapur’”.

LEXO EDHE:

Back to top button