Në shkollat e mesme të Shkupit ka nisur zbatimi i ndalesës së përdorimit të celularëve gjatë orëve mësimore
Gazetar: Avni Tahiri
Në kuadër të masave për përmirësimin e procesit arsimor, përdorimi i celularëve gjatë orës së mësimit është kufizuar dhe sipas qytetit të Shkupit, tashmë ka filluar të zbatohet në shkollat e mesme të Shkupit. Me kërkesë të këshillit të prindërve dhe këshillit të shkollave, me hyrjen në orë mësimi në çdo klasë duhet të ketë vend të veçantë ku nxënësit do të lenë telefonat celularë dhe do të mund t’i marrin vetëm pas përfundimit të orës mësimore. Sipas Qytetit të Shkupit, ky vendim veçmë ka filluar të zbatohet në të gjitha shkollat e mesme.
“Për përmirësimin e arsimit, është marrë vendim nga Këshilli i Prindërve dhe Këshilli i Shkollës, ku është rënë dakord që telefonat celularë gjatë orës së mësimit të vendosen në një vend të caktuar në klasë dhe kjo tani më ka filluar të zbatohet në të gjitha shkollat e mesme. Sa i përket shkollave fillore, vendimin e marrin vetë komunat, por edhe për këtë çështje është diskutuar dhe ka filluar zbatimi edhe në ato të fillores”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
• Telefonat vendosen në një vend të caktuar gjatë mësimit
• Masa zbatohet në shkollat e mesme të Shkupit
• Zbatimi ka filluar edhe në disa shkolla fillore
Por si e komentojnë nxënësit këtë vendim! Edhe pse siç thonë nuk ka filluar zbatimi plotësisht pasi është ende fillimi i vitit shkollor. Shtojnë se celularët u shërbejnë për të marrë informacione dhe për të mësuar, sidomos në kohën e inteligjencës artificiale.
”Mendoj se gjatë orës mësimore të jenë të ndaluar por jo rreptësishtë pasi informatat e para i marrim nga celularët kur behet fjalë për projekte të ndryshme”, tha një nxënës.
”Disa profesorë i marrin e disa tjerë ende jo, por ende jemi në fillim të vitit shkollor dhe nuk e di si do jetë në të ardhmen. Nuk jam për ndalesë të tërësishme”, tha një nxënës tjetër.
”Unë mendoj se duhet të përdorën pasin ndonjëherë kemi nevojë për ndonjë informatë në orë të mësimit”, u shpreh nxënësja.
Përveç shkollave të mesme në ato fillore veç në më shumë komuna të vendit përdorimi i celularëve kufizohet për të rritur përqendrimin e nxënësve dhe për të shmangur shpërqendrimet. Rregullat ndryshojnë sipas shkollës, por në shumë raste celularët nuk lejohen gjatë mësimit./Alsat.mk.








