Në spitalin klinik “Axhibadem Sistina” u kry një operacion kompleks mbi një foshnje vetëm 9 ditëshe, me një tumor të rrallë të gjendrës mbiveshkore
Një ndërhyrje kirurgjikale komplekse u krye me sukses te një i porsalindur nëntë ditësh në Spitalin e Klinikës Axhibadem Sistina. Gjatë shtatzënisë, foshnjës iu diagnostikua një masë tumorale në gjëndrën mbiveshkore të djathtë, e dyshuar të jetë neuroblastomë.
Kirurgu pediatrik, Doc. Prof. Dr. Risto Simeonov, i cili kreu këtë ndërhyrje kirurgjikale jashtëzakonisht komplekse, shpjegon se është një gjendje shumë e rrallë, që kërkon diagnozë të shpejtë, një qasje multidisiplinare dhe saktësi të lartë kirurgjikale.
“Këto tumore zhvillohen më shpesh pas lindjes dhe diagnostikohen jashtëzakonisht rrallë, derisa fetusi është ende në mitër, dhe edhe më të rralla janë operacionet te foshnjat vetëm disa ditëshe. Në qendrat shumë të zhvilluara evropiane, siç është spitali pediatrik Bambino Gesù në Itali dhe Spitali Great Ormond Street në Londër, vetëm 5 deri në 10 raste të tilla operohen çdo vit”, thekson Dr. Simeonov.
Operacioni ishte me rrezik të lartë për shkak të madhësisë dhe vendndodhjes specifike të tumorit. Ndërhyrje të tilla kërkojnë qetësi maksimale, precizion dhe përvojë nga i gjithë ekipi, veçanërisht nga kirurgu dhe anestezisti.
QASJE SHUMËDISIPLINARË NDAJ TRAJTIMIT
Neuroblastoma tek fëmijët kërkon trajtim në qendra shumë të specializuara për kirurgji pediatrike dhe onkologji pediatrike, ku përfshihet një ekip multidisiplinar i përbërë nga kirurgë pediatrikë, hemato-onkologë pediatrikë, neonatologë, radiologë, anesteziologë dhe patologë.
Spitali klinik “Axhibadem Sistina” ka burimet e nevojshme për trajtimin e rasteve të tilla komplekse: diagnostikë moderne, ekip mjekësor me përvojë, kapacitete operative, kujdes intensiv neonatal dhe pediatrik, si dhe monitorim të vazhdueshëm postoperativ.
DIAGNOZA E BËRË GJATË SHTATZËNISË
Gjatë një ekzaminimi të rregullt me ultratinguj në javën e 36-të të shtatzënisë, tek një paciente 24-vjeçare nga Shkupi, e cila e ndiqte rregullisht shtatzëninë e saj në një institucion tjetër, u vu re një formim tumori në gjëndrën mbiveshkore të fetusit. Për një mendim të dytë mjekësor, pacientja iu drejtua Spitalit Klinik Axhibadem Sistina. Ajo u pranua në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës. Dr. Milica Kalmaras, specialiste në gjinekologji dhe obstetrikë,e cila konfirmoi diagnozën e lindi foshnjën në javën e 39-të të shtatzënisë.
Që para se të lindte foshnja, në koordinim me kirurgun pediatrik, Doc. Prof. Dr. Risto Simeonov, u formua një ekip multidisiplinar për monitorim dhe trajtim të mëtejshëm. Menjëherë pas lindjes, i porsalinduri u kujdes në Departamentin e Neonatologjisë nën mbikëqyrjen e Dr. Simonida Spasevska, specialiste e pediatrisë. Menjëherë u kryen të gjitha ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar me saktësi diagnozën dhe për të planifikuar trajtimin e duhur.
HIQET TUMORI ME MADHËSINË E KOKËS SË NJË FOSHNJE
Rezonanca magnetike dhe biopsia, të kryera nga Prof. Dr. Zoran Trajkovski, specialist në radiodiagnostikë tregoi se masa tumorale ishte rritur ndjeshëm pas lindjes. Për të përcaktuar me saktësi zbulimin e mundshëm të përhapjes së sëmundjes në palcën e kockave, Prof. Doc. Biljana Çoneska-Jovanova, hemato-onkologe pediatrike kreu një biopsi të palcës së kockave.
“Prenatarisht, tumori ishte rreth pesë centimetra në diametër. Megjithatë, një skanim me rezonancë magnetike i kryer pas lindjes tregoi se masa ishte më shumë se dyfishuar, duke arritur një diametër deri në 11 centimetra”, shpjegon kirurgu pediatër, Doc. Prof. Dr. Risto Simeonov.
Sipas udhëzimeve mjekësore evropiane, neuroblastomat e diagnostikuara para lindjes duhet të monitorohen në përgjithësi, me një qasje “vëzhgim dhe pritje”. Megjithatë, tek ky i porsalindur, rritja e shpejtë e tumorit dhe ndikimi i tij në shëndetin e foshnjës bënë të nevojshme ndërhyrjen urgjente kirurgjikale.
“Tek neuroblastomat e diagnostikuara në periudhën para lindjes, ekzistojnë rregulla të përcaktuara në mënyrë strikte për monitorimin dhe trajtimin. Por kur tumori rritet me më shumë se 40 përqind, duhet të merret në konsideratë mundësia e trajtimit kirurgjikal. Në rastin tonë, dimensionet e tij ishin rritur me më shumë se 100 përqind. Tumori ushtronte presion të fortë mbi enët e mëdha të gjakut, venën kava dhe aortën, duke shkaktuar qarkullim të dëmtuar dhe vështirësi në frymëmarrje. Prandaj, morëm vendim për ndërhyrje kirurgjikale urgjente“, shpjegon Doc. Dr. Simeonov.
Doc. Dr. Risto Simeonov formoi ekipin operativ në kohën më të shkurtër të mundshme. Ndërhyrja përfshinte gjithashtu Dr. Zlatko Aleksovski, specialist i kirurgjisë pediatrike, Dhe Dr. Milço Micevski, specialist në anesteziologji.
“Pacientit iu nënshtrua një adrenalektomie të djathtë, pra heqjeje të plotë të tumorit së bashku me gjëndrën mbiveshkore të djathtë. Materiali kirurgjikal u dërgua për analizë patohistologjike, rezultati i së cilës konfirmoi diagnozën përfundimtare. Sfida më e madhe në ndërhyrje të tilla është heqja e plotë e tumorit, pa dëmtuar organet jetësore përreth, veshkën e djathtë dhe mëlçinë, pa dëmtuar enët e mëdha të gjakut, venën kava dhe aortën, sepse operacioni mund të përfundojë me vdekje. Ecuria kirurgjikale dhe postoperative kaluan pa probleme, dhe pacienti u lirua nga spitali në gjendje të mirë të përgjithshme dhe lokale, me rekomandime për kujdes të mëtejshëm dhe kontrolle të rregullta“, thotë Dr. Simeonov.
Pas përfundimit me sukses të operacionit, foshnja u transferua në Njësinë e Kujdesit Intensiv Neonatal, ku vazhdoi monitorimi intensiv dhe trajtimi postoperativ.
Sipas Dr. Çoneska-Jovanovës, mostra e marrë me anë të biopsisë së shpimit të palcës së kockave nuk tregoi praninë e qelizave malinje. Përveç kësaj, mostrat e palcës së kockave dhe të indeve tumorale u analizuan me anë të hibridizimit fluoreshent in situ (FISH), me qëllim përcaktimin e pranisë së mundshme të amplifikimit të onkogjenit MYCN.
“Në mostrat e analizuara nuk u zbulua asnjë amplifikim i onkogjenit MYCN. Në kombinim me histologjinë e favorshme, sëmundjen e lokalizuar, mungesën e metastazave të largëta dhe heqjen e plotë kirurgjikale të tumorit, kjo përfaqëson një faktor prognostik jashtëzakonisht të favorshëm. Kjo është një neuroblastomë me risk të ulët, pa nevojën për kimioterapi ose radioterapi shtesë. Probabiliteti i shërimit të përhershëm është shumë i lartë dhe në të ardhmen, kontrollet e rregullta janë të nevojshme, të cilat përfshijnë procedurat e imazherisë dhe testet laboratorike”, shpjegon Dr. Çoneska-Jovanova.
MIRËNJOHJE PËR EKIPIN MJEKËSOR
Pas operacionit të përfunduar me sukses, familja shprehu mirënjohje të sinqertë për mjekët, infermierët dhe të gjithë stafin për reagimin e shpejtë, ekspertizën dhe mbështetjen që iu dha gjatë qëndrimit të tyre në spital./Alsat.mk.








