Në Televizionin Shtetëror të Maqedonisë nuk dihet “kush ha e kush paguan”

Në Televizionin Shtetëror të Maqedonisë nuk dihet "kush ha e kush paguan"

Gazetare: Mirjana Davidovska

Revizioni shtetëror ka konstatuar parregullsi në funksionimin e Radio Televizionit Shtetëror, të cilat përsëriten në çdo raport të këtij institucioni, por nuk kanë qenë arsye e mjaftueshme për ndonjë veprim të institucioneve kompetente, shkruan Alsat.

Revizori ka konstatuar se televizioni shtetëror punon pa strategji dhe program pune ndërsa pagat ndahen sipas dëshirës së drejtorit.

Revizorët për disa punonjës nuk kanë gjetur as dokumentet e nevojshme që do të vërtetonin se  kanë kualifikime të caktuara për atë pozicion.

YouTube video

“Në Marrëveshjen kolektive dhe Rregulloren për pagesën e pagave dhe kompensimin e pagave në RTVM, janë përcaktuar koeficiente të ndryshëm për punëtorët që janë në të njëjtin nivel, për këtë arsye u paguhen paga të ndryshme edhe pse në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, atë për Zyrtarët Administrativë dhe Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, paga e punëtorëve në nivel të njëjtë duhet të jetë e barabartë”.

Revizori gjithashtu ka konstatuar se udhëheqja e RTVM-së, edhe pse me borxhe të mëdha, ka votuar për ndryshimin e Marrëveshjes kolektive me të cilën vlera e koeficientit do të rritet për 40 për qind, me çdo rritje të pagës minimale. Sa i përket pjesës financiare, revizori “dyshon në vërtetësinë e raporteve financiare të ndërmarrjes publike së radio- difuzionit”. Për ta bërë edhe më të palogjikshme gjithë situatën është fakti se menaxhmentit të televizionit i ka skaduar mandati nga viti 2019 dhe Revizioni propozon që Kuvendi të emërojë anëtarët e këshillit programor.

“Deri në datën e revizionit nuk është shpallur konkurs për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të RTVM-së, sepse Këshilli Programor që duhet të shpallë konkursin ka mandat të skaduar, gjë që ndikon në ushtrimin e kompetencave në fushën e veprimtarisë që rregullohet nga neni 132 nga LSHAAV të jetë pa autorizim ligjor”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Pas këtij raporti, Drejtoria e Policisë Financiare me reagim ka njoftuar se kundër drejtorit të RTVM-së Marjan Cvetkovski ka bërë kallëzim penal në vitin 2019, për kredi prej 2.5 milionë eurove, me normë prej 19%, për çka e gjithë prona e televizionit ishte në hipotekë. Këtë drejtori e ka bërë pa pëlqimin e Kuvendit.

Prokuroria themelore publike për krim të organizuar dhe korrupsion ka refuzuar menjëherë kallëzimin penal për këtë rast, thonë në reagimin e policisë financiare. Revizioni shprehet se televizioni nuk ka dokumentacion të rregullt për borxhin që ka, por edhe ata që i kanë borxh. Mungojnë të dhënat për masat e marra për arkëtimin e kërkesave më të vjetra se pesë vjet, si dhe mundësinë e arkëtimit të tyre, thuhet në raport.

Për sa i përket prokurimit publik, revizioni shkruan: se pas kryerjes së testimit të detajuar të procedurave të prokurimit publik, kanë konstatuar se nuk ka dëshmi se prokurimi publik aktual ka qenë i nevojshëm fare për ndërmarrjen, nuk ka informacion bazë për dokumentacionin e tenderit e as dëshmi se janë marrë parasysh kushtet e tregut ./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button