Nesër zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në Bullgari
Ivan Bllazhevski
Më shumë se 6.7 milionë qytetarë të Bullgarisë kanë të drejtën e votës, por pritet që shumë prej tyre të qëndrojnë në shtëpi nesër shkaku i shqetësimeve në rritje për një valë të re të koronavirusit. Ndërsa ata që do të votojnë, sipas anketave, do t’i japin më shumë mbështetje ish-partisë që ishte në pushtet GERB. Ajo pritet të dalë e para në zgjedhjet e nesërme, por hetimet e fundit për korrupsionin e dyshuar gjatë mandatit të ish-kryeministrit Bojko Borisov kufizojnë shanset e tij për të gjetur partnerë koalicioni për një mandat të ri.
“Agjencitë sociologjike po na bëjnë shumë telashe duke njoftuar se kemi një avantazh të madh. Kundërshtarët tanë po çmenden dhe po veprojnë ilegalisht, duke ushtruar presion mbi njerëzit tanë”.
Fitues i zgjedhjeve të së dielës do të jetë GERB-i, një parti që ka qenë shkak për shumë protesta në vitet e fundit, dhe ato protesta në zgjedhjet e fundit çuan në shumë vota për partitë e reja, që mblodhën votat e protestuesve.
Anketat sugjerojnë se deri në shtatë parti mund ta kalojnë pragun e 4% për të hyrë në parlament. Përveç GERB-it, pritet të ketë vend edhe për lëvizjen “Vazhdojmë me ndryshim”, Partia Socialiste dhe “Ka popull të tillë” e Slavi Trifonov. Ai fitoi ngushtë në zgjedhjet e korrikut, por tani padyshim që do të ndëshkohet nga votuesit për faktin se nuk arriti të formojë qeveri. Në votimin për presidentin e ri, kreu aktual i shtetit, Rumen Radev, kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar, dhe në fushatë shfrytëzoi situatën me pandeminë.
“Përpjekjet e qeverisë aktuale për t’u përballur me KOVID-19 duhet të jenë të parashikueshme. Po bëhet gjithçka për të kaluar problemet pa e mbyllur shtetin, pa e shkatërruar ekonominë, as jetën shoqërore apo kulturore të bullgarëve”.
Radev, i cili është një kritik i madh i Borisovit dhe një mbështetës i fortë i protestave të vitit të kaluar kundër korrupsionit, beson se ai nesër nuk do të fitojë të paktën 50% të votave, që do të thotë se do të duhet të organizohet raund i dytë i votimit më 21 nëntor, me kundërshtarin e tij Anastas Gerxhikov, i mbështetur nga GERB.






