Nga 1 gushti fatura më të larta të ngrohjes qendrore

Nga 1 gushti fatura më të larta të ngrohjes qendrore

Gazetare: Evi Shkopi

Komisioni Rregullator i Energjetikës njoftoi çmimet e reja të ngrohjes qendrore të cilat do të hyjnë në fuqi që nga 1 gushti. Ashtu siç pritej, faturat do të jenë më të larta dhe si pasojë portofolat e qytetarëve të Shkupit edhe më të zbrazëta. Shfrytëzuesit e shërbimeve të BEG do të kenë fatura më të larta për 14.18%. Nëse deri tani qytetarët për një faturë mesatare të energjisë termike kanë paguar 1800 denarë tani do të paguajnë 250 denarë më shumë. Sipas kryetarit të Komisionit Rregullator të Energjetikës, arsyeja e vetme për rritjen e faturave është rritja drastike e çmimit të gazit natyror, i cili kushton 10 herë më shumë se sa periudhën e kaluar.

“Në rrjetin më të madh me të cilin ngrohen më shumë se 90% e konsumatorëve në qytetin e Shkupit çmimi i ngrohjes qendrore rritet për 14.18%. Për konsumatorët që ngrohen përmes Hekuranve çmimi rritet për 15.58 për qind dhe për konsumatorët e rrjetit në Shkup Veri çmimi rritet për 16.31 për qind. Ritheksoj, se për të ruajtur këtë stabilitet të çmimeve në këto kushte me këto çmime të gazit natyror, më e rëndësishme është që të sigurohet sasi e mjaftueshme e gazit natyror”, tha Marko Bislimovski- kryetari e KRRE-së.

Në rast të krizës së mungesës eventuale të gazit, sipas autoriteteve do të zbatohen burimet alternative të sigurimit të ngrohjes qendrore për qytetarët.

“Në bazë të Ligjit të Energjetikës, në pjesën e furnizimit me energji termike na rast se impiantet e ngrohjes në Qytetin e Shkupit dhe Tetovë nuk do të kenë gaz natyror apo të mos kenë mundësi të punojnë me gaz natyror, atje parashikohet se ata janë të detyruar me ligj që të kenë lëndë djegëse alternative, me të vetmin qëllim që të mos ndërpritet furnizimi me energji termike tek konsumatorët”, tha Kreshnik Bekteshi- ministër i Ekonomisë.

Sa i përket ndihmës financiare për kategoritë e rrezikuara sociale, ministri Bekteshi tha se ministria e Financave në bashkëpunim me kabinetin e kryeministrit dhe ministria e Ekonomisë janë duke përgatitur masa të tilla. Sipas tij masat duhet të jenë të shënjestruara dhe të përpilohet enkas për ato kategori të qytetarëve që përballen me vështirësi ekonomike./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button