Nga akuzat për blerje votash te bashkëpunimi me Tom Doshin, Rama flet për “La Repubblica”: Si do ta ndryshoj Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për median e njohur italiane “La Repubblica”, ku ka folur për zgjedhjet e 25 prillit dhe mandatin e tij të tretë.

“Ne do të bëjmë një revolucion digjital dhe që nga shtatori i vitit 2022 të gjithë fëmijët shqiptarë do të studiojnë me detyrim anglishten që nga klasa e parë”. Kështu e nis kryeministri Rama intervistën në gazetën italiane, ndërsa shton se “Italia është partneri ynë kryesor, por unë do të doja të shihja më shumë investime në sasi dhe mbi të gjitha në cilësi”.

I pyetur nëse do të qeverisë me mbështetjen e socialdemokratëve të Tom Doshit, i regjistruar në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, kryeministri shqiptar thekson se “Hera e tretë ishte më e vështira, por është edhe më e bukura. Ne kemi fituar një shumicë absolute, kështu që nuk kemi nevojë për mbështetje. Ndoshta mund të kishim një diferencë më të madhe, por këtë herë Shqipëria votoi me një sistem të ri zgjedhor, me lista dhe preferenca gjysmë të hapura dhe kishte shumë vota të pavlefshme. Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin, ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe vota iu quajt e pavlefshme”.

Ndërsa, lidhur me akuzat e opozitës për mashtrim dhe shitblerje të votave, kryeministri Rama thekson se “opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh”.

 

 

“Këtë herë kemi pasur katër ose pesë sondazhe dhe ndryshe nga e kaluara, të gjitha ishin në përputhje me rezultatin. ”Piepoli” ia qëlloi tamam, por dhe anketuesit grekë që punuan për Euronews Albania patën paralajmëruar rezultatin. Raporti paraprak i OSBE-së është pozitiv dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare përmes përfaqësimeve të ndryshme ka ndjekur dhe konfirmuar rregullsinë e zgjedhjeve.

Fatkeqësisht, opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh. Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë: Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh”, thekson ai. ”Dhe përsëri humbin. Sidoqoftë, këto zgjedhje japin një mesazh: kur e majta moderne është e organizuar mirë, është po aq e pamposhtur sa Interi i Mourinhos”, përfundon Rama intervistën për gazetën e njohur italiane ”La Repubblica”.

LEXO EDHE:

Back to top button