Gazetar: Suad Bajrami
Çarje e re në bllokun opozitar shqiptar. Ziadin Sela, njëri ndër partnerët e Ali Ahmetit si në Frontin Evropian, ashtu edhe në Aleancën Kombëtare për Integrim, pas 20 muajsh bashkëpunim, ka braktisur koalicionin, shkruan Alsat.
Vendimi erdhi disa ditë pasi Krenar Lloga, braktisi ASH-në, derisa vijon debati lidhur me rezultatin e dobët të AKI-së në zgjedhjet lokale, e veçanërisht të ASH-së së Selës, e cila ndonëse pati kandidatë në 3 komuna, në asnjërën nuk fitoi.
“Pas diskutimeve përmbajtësore dhe shumë të rëndësishme, anëtarët e Kryesisë në mënyrë unanime sollën vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend edhe vendimin për veprim si grup i pavarur”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës.
Koalicioni partiak ASH – BDI, e cila fillimisht u formalizua në kuadër të Frontit Evropian, ndërsa më pas vazhdoi në Aleancën Kombëtare për Integrim, në opinion vazhdimisht perceptohej si jo i natyrshëm, duke i pasur parasysh linjat e ashpra të politikës anti-BDI, të cilat i kishte zhvilluar vetë Sela, por edhe tërë partia. Gjithashtu, pozicionimin e Selës e vinte në siklet prezenca e Menduh Thaçit, me të cilin dikur kishin qenë bashkë në PDSH kundër BDI-së, por kishin ndarë rrugët pasi kishte formuar Lëvizjen për Reforma.
Kundër BDI-së, Sela kishte qenë bashkë edhe me Arben Taravarin, me të cilin i prishën raportet dhe e përçanë ASH në dysh. Me arsyetim për rrëzimin e BDI-së nga pushteti, Taravari la Selën dhe shkoi në koalicion me VLEN-in në vitin 2024. Sela në zgjedhjet parlamentare hyri në Front me BDI-në. Por, një vit më vonë vetë Taravari u largua nga VLEN-i dhe Qeveria, për të përfunduar tek Ali Ahmeti. Edhe pse në zgjedhjet lokale, nën ombrellën e AKI-së u bashkuan dy pjesët e ASH-së, liderët e tyre, Sela e Taravari nuk flisnin mes vete, duke reflektuar këtë edhe te strukturat më të ulëta të partisë.
Kapërcimet e këtilla, mbase kanë ndikuar mjaftë edhe në fragmentimin e fuqisë politike të Aleancës për Shqiptarët. Pos ndarjes së ASH-së në dysh, gati dy vjet më parë, partia pësoi edhe një ndarje të tretë. Struktura partiake e drejtuar nga Arben Fetai, kishte refuzuar t’i bashkëngjitej Taravarit dhe ta braktisë VLEN-in.
Si rezultat i gjithë kësaj përçarje, ASH-ja sot në Kuvend ka deputetë edhe në pozitë edhe në opozitë. Si subjekt ka prodhuar 8 deputetë, prej të cilëve 4 të krahut të Selës, 3 të Taravarit dhe 1 deputet i krahut të Arben Fetait. / Alsat.mk








