Nga “Iliria” në “Marshall Tito” – Alsat ka siguruar 11 emrat e rrugëve në Tetovë, për të cilat Gjykata Kushtetuese hapi procedurë dhe është një hap para ndryshimit të tyre
Nga “Iliria” në “Marshall Tito” – Alsat ka siguruar 11 emrat e rrugëve në Tetovë, për të cilat Gjykata Kushtetuese hapi procedurë dhe është një hap para ndryshimit të tyre
Gazetar: Suad Bajrami
Emri i sheshit kryesor dhe i 10 rrugëve të Tetovës të cilat para 19 vitesh ishin ndërruar, rrezikojnë të rimarrin emrat e vjetër të periudhës komuniste, pasi Gjykata Kushtetuese hapi procedurë nën dyshimin se Këshilli i Komunës së Tetovës i ka ndërruar emrat në mënyrë të paligjshme, respektivisht pa pëlqimin e Qeverisë.
Edhe ashtu, çështja e emrave ka qenë kaotike, pasi Ministria e Brendshme dhe Regjistri Qendror nuk i kishin futur në sistem ndryshimet, ndërkohë që në mënyrë të njëanshme, emrat reflektoheshin vetëm në nivel komunal nëpër tabela e shkresat e tyre.
ALSAT ka siguruar një kopje të vendimit të nxjerrë në fletoren zyrtare të Komunës, në të cilin saktësohen emrat e rinj, vendim ky i marrë edhe me parimin e Badenterit.
Nëse Kushtetuesja e rrëzon këtë vendim, Sheshi “Iliria” rrezikon të quhet me emrin e liderit jugosllav “Marshall Tito”, ndërsa rruga “Dervish Cara” ku ndodhet dhe objekti i Komunës të quhet me akronimin e ushtrisë jugosllave JNA. Ky emër, rrezikon t’i rikthehet edhe një rruge tjetër që sot mban emrin “Sollunski atentatori gemixhii”. Ndërsa, “Mehmet pashë Deralla” rrezikon të rikthehet në “29 Nëntori”.
Ndërkohë, rrugët “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Krushevska Republika” mund të rikthehen në emrin e mëparshëm të politikanit dhe udhëheqësit ushtarak jugosllav, Ivo Llolla Ribar. Në listë janë edhe dy rrugë që mbajnë emrat e dy figurave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl dhe Sami Frashëri, të cilat mund të zëvendësohen me emrat e diktatorit rus “Lenin” dhe partizanit “Radovan Coniq”. Kontestues, mbetet edhe emri i rrugës “Metodija Andonov Çento”, i cili më herët është quajtur sipas partizanit slloven Boris Kidriç.
Vendimi nga Këshilli i Tetovës ishte miratuar në vitin 2007, kur në krye të Komunës ka qenë Hazbi Lika nga BDI, ndërsa në Qeveri ka qenë PDSH-ja. Alsat, sot tentoi të kontaktojë me Likën dhe përfaqësuesit zyrtar të PDSH-së, megjithatë asnjëra palë nuk ishte e qasshme./ Alsat.mk








