Vazhdohet paraburgimi për Stojançe Jovanovskin, reagime për mosfunksionimin e sistemit ndaj dhunës në familje
Vazhdohet paraburgimi për Stojançe Jovanovskin, reagime për mosfunksionimin e sistemit ndaj dhunës në familje
Gazetare: Ajnur Bafqari
Ndërkohë që vazhdohet për 48 orë paraburgimi për Stojançe Jovanovskin, i dyshuar për dhunë familjare dhe nxitje të vetëvrasjes së bashkëshortes dhe bijës së tij, presidentja Gordana Siljanovska Davkova e ngriti në Kuvend shqetësimin për të dhënat alarmante për dhunën në familje. Sipas saj, shifrat flasim për mosfunksionim të sistemit.
“Trondit fakti se në 2025 ka pasur 4745 denoncime për dhunë në familje dhe 6 raste të vrasjeve, ndërsa për dy muaj muaj në vitin 2026, tashmë 4 raste të femicidit. Këto shifra alarmante janë pasqyrë e shoqërisë ku është rrezikuar e drejta themelore njerëzore. E drejta për jetë. Policët e trajnuar dhe sensibilizuar, punonjës social dhe gjykatës, janë shpëtues aktivë ose bashkëpunëtor pasiv në vepër”, tha Gordana Siljanovska Davkova- Presidente e Shtetit.
Në seancën e Kuvendit, kushtuar ditës së gruas, deputetja Monika Zajkova theksoi se dhuna në familje nuk është çështje familjare siç dëshirojnë ta paraqesin disa. Kjo sipas saj është një përgjegjësi shtetërore e institucionale dhe institucionet nuk guxojnë të heshtin, ndaj vdekjes së grave.
“Kuvendi ka përgjegjësi të barabartë. Ligji për hallkë elektronike për ndjekje të kryerësve të dhunës që është hedhur njëherë poshtë nga kjo sallë e Kuvendit pa debate, por prej atëherë numërojmë vetëm emra të viktimave. Gojën e kemi plot me mbështetje për gratë, por mbështetja mungoi kur duhej të siguronim mekanizëm konkret për mbrojtje dhe parandalim”, u shpreh Monika Zajkova, deputete e PLD.
Reagime të forta lidhur me veprimin apo mosveprimin e institucioneve në rastet e dhunës në familje ka pasur disa ditë me radhë, që pas rastit tragjik në Karposh, ku nëna Ivana së bashku me vajzën i dha fund jetës. Dyshohet se ky akt është nxitur nga babai dhe bashkëshorti, i cili ndodhet në paraburgim./ Alsat.mk








