Ngrirja e çmimeve, një vezë nuk mund të kushtojë më shumë se 9.8 denarë

Ngrirja e çmimeve, një vezë nuk mund të kushtojë më shumë se 9.8 denarë

Gazetar: Adnan Qaili

Nga e mërkura vezët do të kenë çmim të ngrirë 8,5-9,8 denarë, varësisht nga madhësia dhe paketimi. Do të thotë qytetarët do të vazhdojnë t’i blejnë 10 kokrra vezë jo më shtrenjtë se 85 deri në 100 denarë. Qeveria mori vendim që prodhuesit vendor të shesin vezët sipas çmimit referent të 15 marsit në treg. Sipas vendimit të ekzekutivit, prodhuesit vendor duhet të ndjekin dinamikën e prodhimit sipas muajit janar dhe shkurt, ndërsa vetëm 30% të vezëve të pulës do të kenë mundësi ta eksportojnë jashtë shtetit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ky vendim do të vazhdojë vetëm deri më 30 prill dhe është marrë posaçërisht për festën e Pashkëve dhe të Ramazanit, në mënyrë që të kufizojnë edhe eksportin e tyre.

“Ne periudhën e shkuar pamë rritje enorme të çmimit të vezëve dhe orizit, si rezultat i eksportit dhe importit të këtyre prodhimeve. Në prag të festave të Pashkëve dhe Bajramit me qëllim të parandalohet disbalanci eventual në tregun vendor dhe mungesë të vezëve, prodhuesit së paku 70% të prodhimeve vendore të vezëve do ta plasojnë në tregun vendor, kurse tregtarët me pakicë të vazhdojnë të furnizohen me sasinë e zakonshme që kanë porositur në dy muajt e parë të këtij viti”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Për produktet e mishit dhe të fruta-perimeve do të analizohen parametrat e tregut në vazhdim, thonë autoritetet dhe ndërkohë mund të shqiptojnë ngrirje të çmimeve. Por, këto produkte janë ndër më të shtrenjtat e shportës së konsumatorit, kosto të cilat rëndojnë xhepat e qytetarëve. Ministri Kreshnik Bekteshi tha se pas ngrirjes së çmimit të bukës, pastave dhe produkteve të qumështit, tani çmimi i vezëve dhe orizit do të jetë në vazhdën e masave për stabilizim të çmimeve të produkteve ushqimore. Meqenëse çmimet e vezëve dhe orizit nuk u ulën, por vetëm u ngrinë siç janë aktualisht, autoritetet thonë se këtë e bënë për tu mos rritur akoma si trysni e kërkesës së shtuar nga tregjet e vendeve fqinje.

“Çmimi mesatarë i vezëve në vend janë 8,5 deri më 9,8 denarë varësisht nga madhësia dhe paketimi. Është rritur kërkesa e vezëve vendore nga shtetet fqinje ku çmimet janë nga 14-20 cent për një vezë. Nëse do të lejohej eksporti i vezëve për çështje përfitimesh, prodhuesit do të shisnin gjithë prodhimtarinë jashtë shtetit, andaj përveç ngrirjes së çmimeve kufizuam edhe sasinë që do të lejohet të eksportohet”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas fermerëve në vend prodhohet nga 700-800 mijë kokrra vezë në çdo ditë. Përveç se i plotëson nevojat e tregut vendor, nga kjo shifër deri më tani eksportohen 30-40% jashtë shtetit. Duke qenë se kosto mesatare e një veze në tregun vendor është 14 cent, në gjitha vendet e rajonit janë pak më shtrenjtë. Të dhënat tregojnë nga dy-tre cent lëvizin në çdo shtet fqinj, deri në 20 cent arrin çmimi në Greqi. Kjo ka joshur prodhuesit vendor që të kanosen me rritje të eksportit të vezëve në prag të festave. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button