Ngrirja e çmimeve nuk e përcakton kategorinë e produkteve, ankesa për cilësinë

Ngrirja e çmimeve nuk e përcakton kategorinë e produkteve, ankesa për cilësinë

Gazetar: Adnan Qaili

Vendimi i fundit i qeverisë për ngrirjen e çmimeve të fruta-perimeve nuk ka specifikuar se cilat kategori duhet të shiten me çmime të caktuara. Përveç se janë cekur 11 kultura bujqësore, ato nuk kanë të theksuara në detaje nënkategoritë, gjë e cila ka hutuar qytetarët. Kjo lë hapësirë që me çmime të ngrira tavan të shiten edhe produktet e klasës të dytë për nga cilësia. Meqë kjo masë nuk specifikon cilësinë e produkteve, gjithashtu nuk i obligon prodhuesit e tregtarët për sasinë e shitur sipas muajve të kaluar.
Nga Shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve thonë se ka shumë ankesa nga qytetarët për cilësinë e tyre.

“Tek ne paraqiten konsumatorë të caktuar, të cilët vlerësojnë se produktet më nuk e kanë cilësinë e njëjtë, disa prodhimeve u vendoset ujë sikurse vajit për gatim dhe nuk ka kualitetin siç e ka pasur më parë. Ajo ndodh sepse tregtarët e prodhuesit përfitojnë duke mos vënë sasinë e duhur të lëndës së parë që duhet.
Përveç cilësisë, njësoj ndodhi edhe me sasinë, shohim gramazh më të vogël në paketim me çmim të lartë. Apo kamuflazhe me atë se paketimet janë të mëdha, kurse brenda ka më pa produkt me sasi të ulët”, tha Martina Grncarevska, Shoqata për mbrojtjen e Konsumatorëve.

Meqë prodhimet vendore akoma nuk janë në treg, shumica e fruta-perimeve sillen nga Shqipëria dhe Greqia. Analizat e importit në dogana rezultuan se disa nga këto produkte, në muajt e kaluar u shitën deri në 250% më shtrenjtë. Ministri Ekonomisë dje tha se për cilësinë e fruta-perimeve janë kompetentë Ministria e Bujqësisë, duke shpresuar që pas një muaji me plasimin në treg të prodhimeve vendore do të ketë edhe ulje 30-40%.

“Obligimi ynë si Ministri e Ekonomisë është të bëjmë analize se cili ishte çmimi mestar gjatë muajit Mars, cilat ishin çmimet e importit dhe a janë respektuar marzhat e caktuara. Në pjesën e cilësisë të fruta-perimeve ju lutem të drejtoheni te Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për ushqim dhe veterinari”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Nga Ministria e Bujqësisë mohojnë të kenë dorë në këtë pjesë. Përmes telefonit thanë se gjithçka që kishin për të raportuar i kanë dorëzuar në Qeveri.

“Ministria e Bujqësisë ka raportuar lidhur me dy parametra, çmimet e furnizimeve të fruta-perimeve të importuara sipas bursave përkatëse dhe koston e një produkti të kultivuar nga bujqit vendor deri në treg”, njoftojnë nga Ministria e Bujqësisë.

Nga e mërkura deri në fund të prillit do të ngrijnë çmimet e 11 produkteve të fruta-perimeve. Me vendim të Qeverisë nga 5 prilli domatet, trangujt, qepët, lulelakrën, specat, fasulet, thjerrëzat, bananet, limonët portokalli dhe mandarinat me çmime më të ulëta do të zbatohen si në markete ashtu edhe në tregje.

Në prag të festës së Pashkëve dhe të Bajramit është marrë vendimi për ngrirjen e çmimeve të vezëve, orizit dhe artikujve higjienik. Paraprakisht, makaronat dhe produktet e qumështit janë ngrirë për 15 dhe 10 për qind, ndërsa buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë është ulur nga 450 gramë në 33 denarë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button