Ulja e temperaturave për këtë periudhë të vitit, shqetëson bujqit

Ulja e temperaturave për këtë periudhë të vitit, shqetëson bujqit

Gazetare: Ajnur Bafqari

Temperaturat e ulëta nën zero për këtë periudhë të vitit për sinoptikët janë të pazakonshme, ndërsa për agronomët paraqesin situatë shqetësuese. Ata thonë se pemët që janë në fazën e lulëzimit intenziv në këto kushte mund të pësojnë dëme të mëdha.
Sipas paralajmërimeve të entit hidrometeorologjik, temperaturat të enjten dhe të premten zbresin deri në minus 5 gradë Celsius.

“Temperaturat e mëngjesit në ditët në vijim, deri të shtunën, do të ulen nën zero, ndërsa temperaturat e ditës edhe në ditët në vazhdim do të jenë nën mesataren për këtë periudhë të vitit. Të enjten dhe të premten temperaturat e mëngjesit do të ulën deri në minus pesë, por kjo temperaturë negative pritet në pjesët verilindore të vendit”, tha Juliana Fidanoska, Meteorologe.

Agrometeorologët thonë se në këtë periudhë nuk ndikojnë vetëm temperaturat e ulëta por varet edhe kohëzgjatja e tyre dhe sa shpesh përsëriten ato ulje temperaturash. Angelko Angeleski thotë se nga temperaturat e ulëta më së shumti pësojnë frutat me bërthamë.

“Në një situatë të tillë, presim që me temperatura të tilla të zvogëlohet prodhimi. Poashtu është shumë e rëndësishme se cili është ekspozimi në terren i pemishteve. Presim në çfarëdo rasti të kemi dëme, veçanërisht tek llojet e frutave me bërthamë, kajsitë, llojet e hershme të pjeshkave, kumbulla dhe bajamet, pasi ato janë në faza më të zhvilluara dhe zakonisht ato të parat lulëzojnë në pranverë”, u shpreh Angelko Angeleski, Agrometeorolog.

Agrometeorologu Angeleski thotë se reshjet e shiut që në zona të caktuara mbrëmë gjatë natës arritën deri në 60 litra për metër katrorë janë shumë të mirëseardhura, duke pasur parasysh faktin se akumulimet janë të zbrazëta. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button