Disa cisterna që transportojnë naftë të papërpunuar iraniane janë larguar nga Ngushtica e Hormuzit

Cisterna që transportojnë naftë të papërpunuar iraniane janë larguar nga Ngushtica e Hormuzit, për herë të parë që kur Shtetet e Bashkuara nisën bllokadën detare dy muaj më parë, sipas një faqe interneti që gjurmon lëvizjet e anijeve. Ky zhvillim vjen teksa përfaqësuesit e lartë të Iranit dhe SHBA-së pritet të nënshkruajnë një marrëveshje fillestare në Zvicër më 19 qershor, që synon përfundimin e luftës që nisi në fund të shkurtit. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes SHBA-Iran do të mbahet në një resort malor në Zvicër. Kushtet ende sekrete të marrëveshjes së presidentit amerikan, Donald Trump me Iranin, kanë nxitur një debat të ashpër mbi atë se sa shumë përfitime financiare mund të ketë Teherani zyrtar, dhe sa shpejt mund të ndodhë kjo. Marrëveshja pritet t’i lejojë Iranit të shesë naftë lirshëm gjatë një periudhe 60-ditore negociatash, duke hapur gjithashtu rrugën për lehtësimin më të gjerë të sanksioneve, qasjen në fondet e ngrira dhe një fond të mundshëm investimesh prej 300 miliardë dollarësh për rindërtim, nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare bërthamore. Zëvendëspresidenti Vance ka deklaruar për Fox News se paratë nuk do të vijnë nga taksapaguesit amerikanë dhe se fondi do të vihet në funksion vetëm nëse Irani i jep fund përgjithmonë programit të tij bërthamor, heq dorë nga uraniumi i pasuruar dhe lejon inspektimet bërthamore. Ndërkohë mediat shtetërore iraniane kanë pretenduar se Teherani do të ketë qasje të menjëhershme në fondet e ngrira vetëm për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes. Zyrtarët amerikanë e mohojnë kategorikisht këtë. Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se Irani mund të ketë “lëshime të kufizuara” si lehtësim sanksionesh ose qasje në fonde të ngrira, në këmbim të respektimin reciprok të marrëveshjes. Trampi ka deklaruar se teksti i memorandumit do të publikohet, megjithëse me shumë gjasa jo para se të nënshkruhet zyrtarisht të premten.  Ndërkohë udhëheqësit e vendeve të G7-ës në samit shprehën mbështetjen e tyre për marrëveshjen e presidentit amerikan Donald Tramp me Iranin. Në një deklaratë, udhëheqësit e përshkruan marrëveshjen si një “mundësi historike për të parandaluar Iranin që të sigurojë ndonjë armë bërthamore dhe për të trajtuar kërcënimet që lidhen me aktivitetet e tij rajonale dhe programin e raketave balistike”. Dita e fundit e bisedimeve të samitit nisi me vonesë, pasi Tramp ishte i fundit që mbërriti. Duke hyrë në sallë dhe duke u ulur pranë presidentit francez Emanuel Makron, mikpritësit të takimit, ai tha: “Unë jam shefi”.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button