Nikolla Gruevski ka reaguar për herë të parë pas paralajmërimeve për ekstradimin e tij

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ish-kryeministri në arrati, Nikolla Gruevski, i ka bërë thirrje ministrit të drejtësisë që në vend se të mbledhë informacione nga Gjykatat dhe të fillojë procedurë për ekstradim, le të shqyrtojë padrejtësitë dhe procedurat jo ligjore që i janë bërë atij nga ana e pushtetit të kaluar me në krye Zoran Zaev. Gruevski pohon se nuk është fajtor në asnjë akuzë që është ngarkuar nga Prokuroria e atëhershme Speciale por se atëkohë Zaev ka urdhëruar se kush do të përndjekjet e kush jo.

“Aspak nuk duket se LSDM-ja e kriminelit Zaev me urrejtjen e tij dhe metodat e ndyra ka ikur nga pushteti. I propozoj ministrit që po ashtu seriozisht të hetojë keqpërdorimet dhe procedurat jo ligjore gjatë përndjekjes politike gjatë viteve të Zaevit, procedurat e montuara gjyqësore dhe padrejtësitë që i ka bërë që të mundet më lehtë të qeverisë. Le të mbledhë informata për një sërë dëshmitarësh ose të akuzuar të cilët me shantazh jo ligjor dhe kërcënime është dashur të japin deklarime dhe dëshmi të rreme”, tha Nikolla Gruevski – Ish kryeministë në një postim në Facebook.

• Nuk duket se LSDM-ja ka ikur nga pushteti
• Të hetohen keqpërdorimet dhe procedurat e montuara gjyqësore
• Dëshmi të rreme përmes shantazhit

Nuk vonoi përgjigja nga Ministria e Drejtësisë. Thonë se procedurat udhëhiqen në bazë të procesit institucional dhe në bashkëpunim me organet kompetente të Hungarisë, pa ndikime të deklaratave apo kualifikimeve politike.

“Sa i përket rastit me Nikolla Gruevskin, ndërmerren të gjitha hapat e nevojshme për kompletimin e dokumentacionit dhe procesimit në korniza të procedurës ligjore. Mbledhja e informacioneve nga Gjykatat kompetente ka për qëllim të sigurojë bazë të saktë juridike për veprim të mëtutjeshëm. Ministria nuk ka kompetenca të rishqyrtojë vendimet e plotfuqishme gjyqësore por është e obliguar të veprojë ndaj tyre”, tha Ministria e Drejtësisë.

• Po ndërmerren të gjitha hapat për procesimin e procedurës ligjore
• Mbledhja e informacioneve, bazë juridike për veprim të mëtutjeshëm

Javë më parë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë kërkuar nga Gjykatat të dorëzojnë të gjitha informacionet relevante që mund të ndikojnë në procedurën për ekstradim. Ministri Fillkov paralajmëroi se presin formimin e qeverisë së re në Hungari dhe zyrtarisht të dërgojnë kërkesë për ekstradim.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski aktualisht është i dënuar vetëm për dy vepra penale, “Shuplakat në Komunën Qendër” për të cilën ka vendim të plotfuqishëm 18 muaj burg efektiv dhe vepra tjetër “Parcelat në Vodno” për të cilën është dënuar me 9 vjet burg. Vepra “Shuplakat në Komunën Qendër” vjetërsohet më 10 shtator 2027, ndërsa për “Parcelat në Vodno” për shkak të dënimit në mungesë, Gruevski ka të drejtë të kërkon përsëritje të procedurës. Veçmas veprave për të cilat është i dënuar, ai ndiqet si i akuzuar edhe në lëndën e ish-PSP-së që ka të bëjnë me mënyrën se si është financuar VMRO-DPMNE-ja në kohën e tij./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button