Nikollovski: Emërimi i drejtorëve, me konkurs publik

Drejtorët që emëron Qeveria dhe anëtarët e organeve të ndryshme shtetërore do të zgjidhen nëpërmjet konkurseve, edhe pse ky nuk është detyrim ligjor për të gjithë prej tyre. Ky për zv/kryeministrin Lupço Nikollovski, është hapi i parë prej ku do t’i nisë ndryshimet e premtuara sistemore për të luftuar korrupsionin dhe për të menaxhuar me burimet njerëzore në institucionet publike.

- Advertisment -

“Po do të fillohet prej diku. Për drejtorët e parë do të ketë konkurse, do të ketë shpallje publike, për funksionarë të ndryshëm, për lloje të ndryshme anëtarësimi. Do të duhet të dorëzojnë CV, letër motivimi dhe plan për punë dhe ky është një ndryshim i madh. Ndryshim që ndoshta për një pjesë të madhe të tyre nuk është as detyrim ligjor. Prandaj flas për vlera, standard dhe praktika të reja që kemi vullnet t’i vendosim”, tha Lupç Nikollovski, zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit.

Sipas Nikollovskit, kjo është mundësi që në institucione të kyçen njerëz me kapacitet. Megjithatë, një pjesë e emrave të drejtorëve që pritet të emërohen tashmë janë zbardhur nga partitë ose mediat, pa kaluar në konkurs publik dhe pa u formuar asnjë trup qeveritar për vlerësimin e integritetet dhe kredibilitetit të tyre.

“Gjithsesi, kjo është Qeveri koalicioni, dihet përgjegjësia para qytetarëve dhe për realizimin e politikave qeveritare si propozimi i kryeministrit për ekip dhe kabinet të duhur, ne mbajmë përgjegjësi. Por jashtë kësaj, hapin mundësinë që çdo ide e mirë, propozim i mirë dhe njeri me kapacitete, të bëhet pjesë e asaj që na pret vitet e ardhshme”, u shpreh Lupç Nikollovski, zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit.

Kryeministri Zaev njoftoi se procedura për emërimin e drejtorëve do të zhvillohet prej 1 deri 20 tetor, gjë që ngushton hapësirën kohore për zbatimin e konkurseve eventuale që paralajmëroi Nikollovski.

Zv/kryeministri kishte paralajmëruar ndryshime sistemore për efikasitet në luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimit me resurset njerëzore. Megjithatë ai tani thotë se duhet të optimizojmë pritshmëritë sa i takon periudhës së zbatimit të këtyre ndryshimeve. Sipas Nikollovskit, nuk mund të bëhen ndryshime brenda javësh, muajsh ose vitesh, për praktikat që janë ndërtuar prej tre dakadash. Një ekip prej profesionistësh të fushave të ndryshme do të analizojnë punën e institucioneve dhe funksionarëve dhe do të propozojnë ndryshime konkrete ligjore ose sistemore për ç’rrënjosjen graduale të keqpërdorimeve, prejardhjes së pronave, të drejtave diskrecionale, partizimit të institucioneve dhe korrupsionit.

Zv/kryeministri Nikollovski dhe ministri i Drejtësisë Mariçiq u prononcuan për raportin e fundit të GRECO-s në të cilin është vërejtur përparim në luftën kundër korrupsionit në vend.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button