Nis trageti i parë komercial me hidrogjen
Trageti i parë komercial i pasagjerëve me hidrogjen në botë do të fillojë të funksionojë në Gjirin e San Franciskos si pjesë e planeve për të hequr gradualisht anijet me naftë dhe për të reduktuar emetimet e karbonit që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Katamarani 21 metra i gjatë, i quajtur MV Sea Change, do të transportojë deri në 75 pasagjerë përgjatë bregdetit duke filluar nga 19 korriku, thanë zyrtarët.
Shërbimi do të jetë falas për gjashtë muaj, ndërkohë që do të funksionojë si pjesë e një programi pilot. Sea Change mund të udhëtojë rreth 300 milje detare dhe të funksionojë për 16 orë përpara se të ketë nevojë për karburant. Qelizat e karburantit prodhojnë energji elektrike duke kombinuar oksigjenin dhe hidrogjenin në një reaksion elektrokimik, dhe nënprodukti i këtij reagimi është uji.
Teknologjia mund të ndihmojë në “pastrimin” e industrisë së transportit detar, e cila prodhon gati 3% të emetimeve totale të gazrave serrë në botë, thanë zyrtarët.
Kjo është më pak se makinat, kamionët, hekurudhat ose aviacioni, por ende shumë – dhe në rritje.
Përkrahësit gjithashtu shpresojnë që qelizat e karburantit me hidrogjen mund të fuqizojnë anijet me kontejnerë. Organizata Ndërkombëtare Detare, e cila rregullon transportin tregtar, dëshiron të përgjysmojë emetimet e gazeve serrë deri në mesin e shekullit.
Ndërsa emetimet e karburanteve fosile vazhdojnë të ngrohin atmosferën e Tokës, administrata Biden po i kthehet hidrogjenit si një burim energjie për automjetet.
Ajo ofron 8 miliardë dollarë për të tërhequr industritë, inxhinierët dhe planifikuesit e vendit për të kuptuar se si të prodhojnë dhe ofrojnë hidrogjen të pastër.