Një muaj e gjysmë nga fillimi i vitit të ri shkollor, një pjesë e nxënësve nuk kanë ende asnjë libër
Një muaj e gjysmë nga fillimi i vitit të ri shkollor, një pjesë e nxënësve nuk kanë ende asnjë libër
Gazetare: Melihate Rustemi
Edhe në muajin e dytë të vitit shkollor, filloristët vazhdojnë të përballen me mungesë librash. Më të prekur janë nxënësit e klasave të gjashta të cilët këtë vit për herë të parë u përfshinë në konceptin e ri mësimor dhe deri më sot thuajse nuk janë furnizuar me asnjë libër.
“Nuk e di kur do të mbërrijnë. Muajin e kaluar kanë thënë që do të vijnë pas një muaji. Tash nuk e di, na thanë që sot do të na japin por jo. Nuk kam bë fotokopje, shumica e klasës kanë. Ti, a do ti bësh? Jo, do ti pres librat”, tha një nxënëse.
Në pritje të librave, nxënësit u janë drejtuar librarive dhe pikave për fotokopje për tu furnizuar me libra të kopjuar. Pavarësisht asaj që librat janë falas, prindërit kanë paguar mbi 1500 denarë për një komplet librash për klasën e gjashtë.
“Për klasën e gjashtë momentalisht ka gjashtë tekste që janë komplet të reja. Pjesët e para ose kapitujt e parë janë në faqen e ministrisë së Arsimit dhe prindërit i kërkojnë që ato të njejtat të kopjohen pasi të rejat akoma nuk ka. Arsimtarët vazhdojnë me kapitullin e parë derisa nxënësit të furnizohen me libra të reja. Me fotokopje ndoshta me 1500 denarë maksimum do të kompletohet mirëpo nuk është ajo zgjidhje, nuk i vjen era libër, kualiteti ka dallim shumë”, u shpreh Sedat Koka, pronar librarie.
Për libra të fotokopjuar interesim të vazhdueshëm shfaqin edhe nxënësit e klasës së shtatë, tetë dhe të nëntë që akoma nuk janë përfshirë në reformat e reja. Librat për këto klasë janë shumë të vjetërsuara dhe të grisura.
“Librat na mungojnë si çdo vit, prej klasës së gjashtë e deri tash. Anglishtja, gjermanishtja, matematika, shkencat. Gjysmat i kemi fotokopju, gjysma me telefona jemi mar, u kemi thanë arsimtarëve se mundemi prej në telefon me mësuar”, theksoi një nxënëse.
“Disa i kam pas, disa të tjera mi kanë dhënë shokët. Në klasë si është situate, ka dikush që ka ndonjë mungesë dhe në cilat libra? Shqip dhe anglisht. Ato që i kemi janë të shkatërruar”, tha një nxënës tjetër.
Sipas burimeve të Alsat, gjatë ditës në shkolla të caktuara është shpërndarë vetëm libri i gjuhës shqipe. Për mungesën e teksteve foli edhe kryeministri Kovaçevski i cili tha se Qeveria dhe Ministria e Arsimit i kanë përfunduar të gjitha procedurat për tekstet e reja për nxënësit.
Sipas tij, të gjithë ato libra që janë marrë nga autorë, nga komisioni kombëtar i miratimit të teksteve shkojnë menjëherë në proces shtypjeje./ Alsat.mk