Një vaksinë e re kundër Covid-19 tregon mbi 89% efektivitet

Një vaksinë e re kundër koronavirusit ka treguar se është 89.3 për qind efektive, në testimet në shkallë të gjerë, në Mbretërinë e Bashkuar.

Vaksina e kompanisë Novavax është e para që tregon se është efektive kundër një varianti të ri të koronavirusit, të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se ky është një “lajm i mirë” dhe shtoi se rregullatorët shëndetësorë të Mbretërisë së Bashkuar do ta vlerësojnë vaksinën.

Mbretëria e Bashkuar ka siguruar 60 milionë doza të vaksinës Novavax.

Ato pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të vitit, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore, tha Qeveria britanike.

Deri më tash, Mbretëria e Bashkuar ka miartuar tri vaksina të koronavirusit për përdorim urgjent: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Oxford/AstraZeneca.

Ndryshe nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna, Novavax mund të ruhet në temperaturë të rregullt të frigoriferit.

Vaksinimi në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Qeverisë, mbi 7.4 milionë njerëz kanë marrë deri më tash dozat e para të vaksinave.

Mbretëria e Bashkuar është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi dhe ndër më të prekurit në botë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 3.7 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 102,000 kanë vdekur.

LEXO EDHE:

Back to top button