NQP akuzohet për shkelje – Studentëve u hiqet transporti falas pa bazë ligjore
NQP akuzohet për shkelje - Studentëve u hiqet transporti falas pa bazë ligjore
Gazetar: Avni Tahiri
Një pjesë e studentëve të rregullt në Shkup ankohen se Ndërmarrja e Qarkullimit Publik po refuzon t’ua vazhdojë biletat vjetore për transport falas, edhe pse janë të regjistruar në vitin aktual akademik dhe kanë status aktiv studentor.
Sipas studentëve, në sportelet e NQP-së u është thënë se nuk kanë të drejtë për biletë falas për shkak se u kanë mbetur vetëm një ose dy lëndë për provim, apo vetëm punimi i diplomës. Ata theksojnë se një kusht i tillë nuk është i publikuar në asnjë dokument zyrtar.
“Sipas dëshmive të studentëve, në sportelet e NQP-së u është thënë se nuk kanë të drejtë për biletë falas sepse nuk kanë ‘mjaft lëndë të regjistruara’, edhe pse një kusht i tillë nuk është shpallur publikisht dhe as nuk është i përfshirë në ndonjë vendim apo rregullore të njohur. Nuk ekziston asnjë dokument i qartë dhe publikisht i qasshëm që përcakton numrin minimal të lëndëve si kusht për transport falas ose për përjashtimin e studentëve në fazën përfundimtare të studimeve. Punimi i diplomës për studentët është detyrim në kuadër të studimeve deridiplomike, regjistrohet dhe evidentohet nga fakulteti dhe nënkupton status aktiv studentor”, thonë nga Studentaria.
Nga platforma ‘Studentaria’ thonë se kanë drejtuar pyetje zyrtare ndaj NQP-së me qëllim që të marrin sqarim, por deri në këtë moment nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Ata vlerësojnë se mungesa e transparencës dhe e kritereve të qarta krijon pasiguri, konfuzion dhe ndjenjë padrejtësie te studentët, veçanërisht te ata që janë në fazën përfundimtare të studimeve dhe që e përdorin çdo ditë transportin publik.
Për të sqaruar këtë situatë, Alsat iu drejtua me pyetje zyrtare Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik, megjithatë deri në këto momente nuk ka përgjigje apo sqarim nga kjo ndërmarrje./ Alsat.mk








