Nuk ka nisur gjykimi për vrasjen e vajzës së mitur Vanjës, akuzat kundër Palevskit dhe bashkëkryerësve do të bashkohen
Nuk ka nisur gjykimi për vrasjen e vajzës së mitur Vanjës, akuzat kundër Palevskit dhe bashkëkryerësve do të bashkohen
Gazetar: Mihaillo Donev
Nuk nisi ende gjykimi i shumëpritur për të dyshuarit për vrasjen e të miturës Vanja dhe Pançes. Gjykata penale tha se gjykimi është shtyrë për më 20 shtator me qëllim të bashkimit të dy akuzave ndaj të dyshuarit të parë Palevski dhe ndaj të dyshuarve të tjerë që do të përgjigjen për bashkëekzekutim. Palevski dhe tre të pandehur të tjerë do të përgjigjen për dy vrasje dhe dy rrëmbime, ndërsa babai i Vanjës akuzohet për veprën penale rrëmbim.
“I dyshuari i parë për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, Ljupço Palevski Palço, sot nuk u soll në Gjykatën Penale të Shkupit, ndërsa në bankën e të akuzuarve sot për herë të parë u ulën tre bashkëkryesit e veprës penale dhe babai i Vanja Gjorçevskës”, raporton Mihaillo Donev, gazetar.
Gjykimi nuk filloi, por gjykatësi Ivica Stefanovski i njoftoi të dyshuarit e pranishëm dhe avokatët e tyre se seanca e parë shtyhet për më 20 shtator. Stefanovski tha se Këshilli Gjyqësor nuk ka mundur të sigurojë praninë e Palevskit, sepse aktakuza kundër tij është miratuar para seancës së sotme dhe për këtë arsye nuk janë plotësuar kushtet ligjore që ai të thirret. Në seancën e sotme, e cila zgjati vetëm disa minuta, Stefanovski vetëm shkurt njoftoi se pranon kërkesën e prokurorisë për bashkimin e akuzave ndaj Palços dhe të dyshuarve të tjerë.
“Gjykata vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë për bashkimin e dy procedurave është e bazuar dhe se janë përmbushur dispozitat ligjore sepse bëhet fjalë për ngjarje të njëjta penalo-juridike për zhvillimin e një procedure të vetme. Në bazë të nenit 28 paragrafi 8, ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankesë e plotfuqishme”, tha Ivica Stefanovski, gjykatës.
Përveç Palevskit, i cili është i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi, Vlatko Keshishov nga Shtipi, si dhe Velibor Manev dhe Bore Videvski nga Velesi dyshohen si bashkautorë të veprës, ndërsa babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, sipas aktakuzës, akuzohet se i ka treguar grupit se në cilën orë do të dilte vajza nga shtëpia që ata ta organizonin rrëmbimin. Pançe Zhezhovski ishte shpallur i zhdukur më 24 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa e mitura Vanja më datë 27 po të këtij muaji. Ata u gjetën të vdekur pas gjashtë ditësh kërkim intensiv në afërsi të Shkupit dhe Velesit. Motivi i rrëmbimit dhe vrasjes së tyre, sipas prokurorisë, është kërkesa për shpërblim. Për kidnapimin dhe vrasjen e Gjorçevskës dhe Zhezovskit, sipas dispozitave të Kodit Penal, për Palevskin parashihet dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. /Alsat.mk