Nuk lënë presidentin të shohë një ndeshje futbolli sepse nuk ishte i vaksinuar

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro njoftoi se nuk u pranua në stadiumin ku u luajt ndeshja e futbollit Santos-Gremio pasi nuk kishte bërë vaksinën kundër koronavirusit (COVID-19).

Sipas një videoje të gazetës online “Metropoles”, Bolsonaro, i cili gjendet në Sao Paulo për pushime, nuk arriti të shikonte ndeshjen nga stadiumi pasi nuk ishte i vaksinuar kundër COVID-19.

Bolsonaro, i cili është mbështetës i klubit të futbollit Santos, shprehu shqetësimin e tij pasi nuk u lejua të hynte në stadium.

“Pse kartë vaksinimi, pasaportë vaksinimi? Unë doja të shikoja ndeshjen e Santosit, ata thanë se duhet të jem i vaksinuar. Pse? Unë kam më shumë antitrupa sesa ata që janë vaksinuar”, tha Bolsonaro.

Në rajone të ndryshme të Brazilit, tifozëve u kërkohet të kenë vaksinën kundër COVID-19 ose të tregojnë një test negativ PCR në mënyrë që të shikojnë ndeshjet nga stadiumi.

Bolsonaro, i cili nuk dëshiron të vaksinohet pasi e ka kaluar virusin, thotë se do të vendosë nëse do të marrë vaksinën në qoftë se tepron ndonjë pasi të jetë vaksinuar braziliani i fundit.

Presidenti brazilian është kritikuar shpesh për deklaratat e tij gjatë pandemisë së COVID-19 dhe për kundërshtimet e tij ndaj masave kundër pandemisë.

Brazili, vendi i Amerikës së Jugut ku më shumë se 600 mijë njerëz kanë vdekur për shkak të koronavirusit, është vendi me më shumë vdekje nga sëmundja në botë pas SHBA-së.

LEXO EDHE:

Back to top button