Nxënësit e Bojanës fillojnë gjysmëvjetorin e dytë me vështirësi për shkak të mungesës së transportit publik

Nxënësit e Bojanës fillojnë gjysmëvjetorin e dytë me vështirësi për shkak të mungesës së transportit publik

Gazetar: Avni Tahiri

Nxënësit e fshatit Bojanë e nisën gjysmë vjetorin e dytë shkollor me pritje të gjata në stacionet e autobusit publik të linjës me numër 56.

Pas disa orësh pritjeje për autobusin që nuk mbërriti, u detyruan të gjejnë alternativa të tjera udhëtimi. Disa u nisën me autostop, disa me ndihmën e familjarëve, ndërsa të tjerë vazhduan rrugën në këmbë.

Banorët e Bojanës thonë se kjo nuk është hera e parë që përballen me mungesë të transportit publik. Sipas tyre, problemi me autobusin e linjës 56 zgjat tashmë prej një kohe të gjatë dhe po u shkakton vështirësi të përditshme e veçanërisht nxënësve.

“Shkojnë në këmbë nxënësit e me vetura i marrim. Më së shumti ndodhë pasdite. Sot filloi edhe shkolla si shkuan nxënësit për në shkollë? Disa me vetura e disa nuk e di. Autobusi me dy kate nuk kalon këtu tek ura dhe për shkak të asaj mbetet poshtë. Jemi ankuar por s’ka zgjidhje jo”, tha një qytetar.

“Ka mjaftë nxënës por mundohen pasi shkojnë në këmbë në natë e ka edhe qen në rrugë, është vërtetë lodhje e madhe dhe kjo duhet të rregullohet’, u shpreh një qytetar.

“Vajza ka provim sot dhe duhet me veturë ta dërgoj deri atje, sepse nuk janë të rregullt autobusët, njëra vajzë rri tek dajallarët në Shkup që ta mbërrije provimin në kohë sot, shkaku i transportit”, theksoi një qytetar.

“Sot nxënësit si shkuan në shkollë? Nga Bojana vijnë në këmbë, nga Llaskarca po ashtu me vetura private kur ka mundësi e kur s’ka qëndrojnë në shtëpi”, tha një qytetar.

Lidhur me problemin e banorëve të Bojanës me transportin publik, nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik thonë se autobusi i linjës me numër 56 aktualisht është jashtë funksioni për shkak të një defekti teknik. Sipas tyre, pas sanimit të defektit autobusi pritet të rikthehet në qarkullim, por nuk dhanë afat konkret se kur do të ndodhë kjo./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button