Objekt pa leje në zemër të Çarshisë, Komuna pa informacion për investitorin

Objekt pa leje në zemër të Çarshisë, Komuna pa informacion për investitorin

Gazetare: Ajnur Bafqari

Komuna e Çairit nuk e njeh investitorin e ndërtimit pa leje në Çarshi të Shkupit. Kreu i kësaj komune, Izet Mexhiti thotë se emrin e investitorit e ka Inspektorati i Ndërtimit, ndërsa ai është paralajmëruar më herët por nuk ka dëgjuar dhe punimet kanë vazhduar. Pas konstatimit të gjendjes faktike objekti do të rikthehet në gjendjen e mëparshme.

“Po është konstatuar se është i jashtëligjshëm, domethënë është paralajmëruar nuk ka dëgjuar, tash ka vendim nga Inspektorati për Ndërtim në Çair, që do të konfirmohet edhe nga inspektorati shtetëror për ta kthyer në gjendjen e mëparshme. Përndryshe ballafaqohet me ligjin…
Kush është investitori?
-Nuk e di tash nuk di emër, te inspektorati i kanë të dhënat”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i komunës së Çairit.

Nuk ka informacione se nga kur datojnë punimet. Objekti i banimit rezulton në njësinë kadastrale të Komunës Qendër, ka katër pronarë dhe rezultojnë të njëjtës familje. Dy katet e mësipërme janë ndërtuar në periudhën kur Komuna e Çairit po punon për shpalljen e moratoriumit për ndërtime, veprim që sipas tyre pietet të sillet së shpejti. Ditë më parë BDI akuzoi Mexhitin se Çairin e ka shndërruar në xhungël urbanisitike. Sipas tyre, përveç që nuk u shpall moratoriumi, nuk u bë as masterplani, premtimi kryesor i Mexhitit në fushatën zgjedhore. Mexhiti thotë se masterplani nuk është i afatizuar, por është strategji për të cilën punohet me vizion.

“E para masterplani nuk është i afatizuar me muaj, masterplani është një vizion për projekte strategjike për Çairin, për të cilat po punohet intensivisht, kemi pas disa takime me Qytetin e Shkupit, se kryesisht janë rrugë të Qytetit të Shkupit, me kompetenca”, u shpreh Izet Mexhiti, Kryetar i komunës së Çairit.

Veprimet e Komunës së Çairit ndaj ndërtuesit në Çarshi erdhën vetëm pasi rasti u denoncua publikisht në media./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button