Objekti pa leje në Çarshi të Shkupit, hyn në fuqi vendimi për rrënim
Objekti pa leje në Çarshi të Shkupit, hyn në fuqi vendimi për rrënim
Gazetare: Ajnur Bafqari
Sot është nxjerrë urdhri për rrënimin e mbindërtimit pa leje në zemër të Çarshisë së Shkupit.. Nga Komuna e Çairit sqarojnë se në vijim pritet përzgjedhja e kompanisë që do të angazhohet për realizimin e rrënimit.
“Me këtë akt përmbyllet faza administrative e procedurës, ndërsa në vijim do të zhvillohet procedura për realizimin e rrënimit të objektit, përmes përzgjedhjes së operatorit ekonomik sipas rregullave të prokurimit publik”, thonë nga Komuna e Çairit.
Por, përskaj konstatimit se objekti është i jashtëligjshëm, paralajmërimit të investitorit i cili sipas autoriteteve komunale nuk ka dëgjuar, si dhe rrjedhjes së të gjitha afateve ligjore të parapara për rrënim, investitori vazhdon punimet pa ndërprerje. Së fundmi punimet në objektin në fjalë kanë avancuar dhe i njëjti është pajisur me dyer dhe dritare.
Komuna e Çairit më herët pati njoftuar se nuk ka emër të investitorit të këtij mbindërtimi, por se emri i tij ishte i njohur për Inspektoratin e Ndërtimit dhe i njëjti ishte paralajmëruar të ndalojë me punimet, por nuk kishte dëgjuar. Objekti sipas regjistrit të Kadastrës rezulton në parcelën pronësore me numër 8980/2 në njësinë kadastrale të Komunës Qendër. Objekti në fjalë ku është ngritur mbindërtimi ka katër kate dhe banojnë disa familje. /Alsat.mk








