OBSH: Mijëra njerëz në Ukrainë kanë lëndime komplekse që lidhen me luftën

OBSH: Mijëra njerëz në Ukrainë kanë lëndime komplekse që lidhen me luftën

Mijëra njerëz në Ukrainë kanë pësuar lëndime komplekse të lidhura me luftën dhe kanë nevojë për shërbime rehabilitimi dhe pajisje për t’i ndihmuar, tha Satish Mishra, zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Mishra, nga zyra rajonale e OBSH-së për Evropën tha më 7 mars se lëndimet përfshijnë fraktura, amputime, lëndime të shtyllës kurrizore, lëndime traumatike të trurit dhe djegie.

Ai shtoi se sulmet në objektet e kujdesit shëndetësor, më pak punonjës për shkak të zhvendosjes dhe mungesës së energjisë elektrike, po e bëjnë më të vështirë për njerëzit që të marrin shërbimet e nevojshme.

Në nëntor të vitit të kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti Rusinë “shtet terrorist” që bën “terror dhe vrasje”, pasi një foshnje u vra në një repart të maternitetit pas një sulmi me raketa, në një spital në pjesën jugore të Zaporizhjas.
Ai tha gjithashtu se që nga nisja e luftës, Rusia ka hedhur rreth 5.700 raketa në Ukrainë.

Bombardimet dhe sulmet me raketa ruse kanë goditur infrastrukturën civile në pjesë të ndryshme të Ukrainës. Si rrjedhojë, mijëra njerëz janë plagosur dhe miliona ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

LEXO EDHE:

Back to top button