OKB-ja kërkon nga talibanët të rihapin shkollat për vajzat afgane

OKB-ja kërkon nga talibanët të rihapin shkollat për vajzat afgane

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje talibanëve të rihapin shkollat e mesme për vajzat në mbarë Afganistanin, duke dënuar ndalimin e shkollimit një vit më parë dhe duke e cilësuar këtë vendim si “tragjik dhe të turpshëm”.

Disa javë pasi morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar, islamikët e linjës së ashpër rihapën shkollat e mesme për djemtë më 18 shtator të vitit 2021, por ndaluan vajzat që të ndiqnin shkollimin e mesëm. Më 23 mars, Ministria e Arisimi hapi shkollat e mesme për vajzat, por brenda orësh, udhëheqja e talibanëve urdhëroi që shkollat të mbylleshin sërish.

Të drejtat e grave një vit pas ardhjes së talibanëve në pushtet

Që atëherë, mbi një milion vajza janë privuar nga arsimimi në mbarë vendin, tha Misioni për Ndihmë në Afganistan i OKB-së (UNAMA).

“Kjo është tragjike, është e turpshme dhe është një përvjetor që do të duhej të shmangej”, tha Markus Potzel, ushtrues i detyrës së drejtorit të UNAMA-s më 18 shtator.

“Është thellësisht e dëmshme për një gjeneratë vajzash dhe për vetë të ardhmen e Afganistanit”, shtoi ai.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje talibanëve që të heqin ndalesën.

“Një vit i humbur i dijes dhe i mundësisë që nuk do të kthehet kurrë”, shkroi Guterres në Twitter.

“Vajzat e kanë vendin në shkollë. Talibanët duhet t’i lejojnë që ato të kthehen në shkolla”, shtoi ai.

Disa zyrtarë talibanë kanë thënë se ndalesa është e përkohshme, por gjithashtu kanë dhënë një sërë justifikimesh për mbylljen e shkollave nga mungesa e fondeve për të rimodeluar kurrikulën në bazë të mësimit islam.

Pasi morën pushtetin më 15 gusht të vitit të kaluar, pas tërheqjes së trupave të huaja, talibanët premtuan se regjimi i tyre do të ishte më i butë sesa kur udhëhoqën me Afganistanin në periudhën 1996-2001. Por, brenda ditësh ata nisën të vendosnin kufizime të ashpra ndaj grave dhe vajzave, duke u bazuar në versionin e tyre të Islamit dhe i larguan vajzat e gratë nga jeta publike e Afganistanit. Përveç se kanë mbyllur shkollat për vajzat, talibanët po ashtu u kanë ndaluar grave që të punojnë punë qeveritare dhe i kanë urdhëruar që të mbulohen në publik, kryesisht duke veshur burka.

Disa shkolla të mesme për vajzat janë ende të hapura në disa provinca larg Kabulit dhe Kandaharit, që janë qendrat e pushtetit të talibanëve./rel/

LEXO EDHE:

Back to top button