Operacion i gjerë në disa shtete për trafik klandestinësh, dhjetëra të arrestuar

Me anë të një deklarate, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e gjerë kundër klandestinëve, i cili është zhvilluar në Itali, Greqi, Shqipëri, e shtete të tjera të Europës.

Sipas SPAK, për këtë operacion, është krijuar një skuadër e përbashkët mes autoriteteve italiane, greke e shqiptare, duke pasur edhe ndihmën e EUROPOL, të cilat kanë ekzekutuar 47 masa të sigurimit personal të miratuar lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj skuadre.

“Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjesëtarët e 4 (katër) grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim, ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal (2 grupe në Itali, 1 grup në Shqipëri dhe 1 grup në Turqi) të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së. Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së. Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1120 emigrantëve”, bën të ditur SPAK.

Nga hetimet e kryera në Shqipëri nga SPAK në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese janë dokumentuar 7 episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar. Gjithashtu, janë sekuestruar skafe, një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin për caktim masash sigurimi të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është urdhëruar arrestimi i 25 personave, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

LEXO EDHE:

Back to top button