Opozita dorëzoi nismën për shfuqizimin e Qeverisë teknike

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja dorëzoi zyrtarisht nismën për shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike. Partia opozitare vlerëson se ky model i organizimit të institucioneve para zgjedhjeve është dëshmuar si joefikas dhe jofunksional, shkruan Alsat.

Miratimin e këtij propozim-ndryshimi në ligjin për qeveri nuk e kushtëzojnë me zgjedhje të shpejta, edhe pse thonë se ata janë të pashmangshme.

“Zgjedhjet e shpejta parlamentare janë të patjetërsueshme për vendin. E shihni edhe vetë se as kryeministri i ri dhe as kjo shumicë nuk ka kredibilitet pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit lokale. Përndryshe, nisma nuk është e kushtëzuar. Kërkojmë që këto dispozita të fshihen nga ligji për qeverinë për shkak të jofunksionalitetit të këtyre dispozitave që i kemi aktualisht”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja e konsideron pozitiv faktin që opozita pranon se vendi ka institucione që mund të organizojnë zgjedhje të besueshme. Por, nismën nuk do ta mbështesin për disa arsye.

“E para, mënyra në të cilën është dorëzuar ky propozim. Kjo sipas Marrëveshjes së Përzhinës d.t.th. që ndryshimet në ligjin për qeverinë duhet të jenë konsensus mes katër partive më të mëdha në Kuvend dhe jo në këtë mënyrë me vullnet të njëanshëm nga një parti dhe e dyta, koha e dorëzimit të tij kur të gjithë e dimë se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë, do të ketë zgjedhje të rregullta”, deklaroi Jovan Mitrevski, LSDM.

Edhe BDI-ja është dakord që ky model i qeverisë së përkohshme të shfuqizohet por kërkon konsensus.

“BDI-ja ka arritur dakordancë më herët si me LSDM-në ashtu edhe me VMRO-DPMNE-në për shfuqizimin e Qeverisë teknike për arsye se është e palogjikshme që një vend anëtar i NATO-s, një vend aspirant për anëtar në BE të ketë qeveri teknike për arsye të mosbesimit ndaj institucioneve. Kemi ditë përpara nesh për të biseduar, diskutuar, analizuar zgjidhjet më të mira ligjore në lidhje me këtë çështje dhe për të arritur konsensus”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.

Vetë Hristijan Mickoski dhe Zoran Zaev disa herë në të kaluarën ishin marrë vesh dhe kishin deklaruar se modeli i qeverisë teknike ose qeverisë sipas modelit të Përzhinës ishte joefikas dhe duhej të shfuqizohej. Ky model i organizimit të institucioneve u instalua për herë të parë pas negociatave të Përzhinës në vitin 2016, për shkak të mosbesimit ndaj institucioneve që kishte opozita e Zaevit në atë kohë. Ai zbatohet 100 ditë para ditës së zgjedhjeve parlamentare. Opozita bëhet pjesë e qeverisë së përkohshme duke drejtuar disa nga institucionet kyçe për organizimin e zgjedhjeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button