Opozita shqiptare: Ligji për përfaqësim nuk kalon, nuk ka mekanizma mbrojtës dhe kuota

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deputetët e opozitës shqiptare ashpër kundërshtojnë ligjin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Edhe pse kanë propozuar një sërë amendamentesh, ata thonë se gjithsesi ligji nuk do të kalojë sepse nuk do të marrë mbështetjen e tyre gjatë votimit me badenter. Deputetët shqiptarë të opozitës kërkuan mekanizëm mbrojtës për sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke thënë se zbatimi i ligjit nuk mund t’i lihet vetëm përgjegjësisë politike. Ata gjithashtu kërkojnë që ligji të përmbajë kuotat etnike kurse bazë për përkatësinë etnike të qytetarëve të mos merret emri dhe dokumentet e identifikimit, por të dhënat nga regjistrimi i fundit në Entin e Statistikës.

“Çdoherë ne duhet të kemi kujdes. Ne duhet të ndërtojmë mekanizma mbrojtës për qytetarët. Vetëm nëpërmjet mekanizmave mbrojtës bëhet e pavlerë kush nesër qeveris. Vetëm nëpërmjet mekanizmave mbrojtës ti nuk i len qytetarët, me fjalë të tjera, fëmijët tuaj, rrethin tuaj të ngushtë dhe të gjerë, popullin që i përfaqëson në dëshirën e mirë ose të keqe të atij që do të na udhëheqë nesër” tha Ziadin Sela, deputet dhe kreu i Lidhjes Shqiptare.

“Ne kërkojmë përmes amendamentit tonë që të verifikohet përmes lëshimit të një certifikate ose dokumenti për përkatësinë etnike nga Enti i Statistikave ndërkohë që zv.kryeministri, pra sipas tij, sa më i thjeshtë të jetë dhe të mos komplikohet propozim-ligji, aq më e mirë do të jetë. Përndryshe ne e kemi ngritur si shqetësim dhe si çështje këtë që përmes emrave nuk mund të përcaktohet qartë përkatësia etnike dhe aq më pak përmes letrës së njoftimit që është një argument koti” deklaroi Rina Ajdari, nga Fronti Evropian

“Deputeti e ka emrin Sali Murati, është turk, ndërsa ju me letërnjoftim ja nxirrni si të doni përkatësinë etnike kurse Bekim Sali, zv.kryeministri, është shqiptar por ju me mbiemër do ja nxirrni përkatësinë etnike turke. Kjo është që u jepet mënyrë për t’i keqpërdorur këta të dhëna në këtë mënyrë çdo institucioni gjatë vendimmarrjes” tha Skender Rexhepi, Fronti Evropian.

Propozimet konkrete nuk u pranuan nga bartësi i ligjit zv.kryeministri Bekim Sali. Ai tha se propozimet bien ndesh me mekanizmat e tjerë që parashikon ligji. Deputetët e VLEN këmbëngulin si ligji është bazë e mirë për sigurimin e kategorisë kushtetuese të përfaqësimit të drejtë.

“Amendamenti nuk pranohet. Ky amendament ndryshon tërësisht konceptin e mekanizmit të paraparë në ligj dhe ngarkon procedurën e  verifikimit të përkatësisë etnike me elemente të reja administrative që nuk janë pjesë e zgjidhjes së propozuar” tha Bekim Sali, Zv.kryeministër i parë.

“Ndalen përfundimisht keqpërdorimet me etnitë dhe vendosen kritere të qarta të bazuara në dokumente personale të qytetarëve. Këtu është lënë e lirë që secili qytetar të paraqitet si ndjehet e jo të bëhen keqpërdorime siç janë bërë, siç e dini edhe vetë” deklaroi Valbona Adili, nga VLEN.

Kryeparlamentari Afrim Gashi duke komentuar procedurat kuvendore për miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një ditë më parë, tha se është në pritje të përfundimit të debatit në komision, që më pas ta vendosë për votim në periudhën e ardhshme.

LEXO EDHE:

Back to top button