Rikonstruimi i Qeverisë mbaron javën e ardhshme, ja cilat janë kombinatorikat
Gazetar: Suad Bajrami
Javën e ardhshme do të dihen detajet e rikonstruimit të Qeverisë, ndërsa bisedimet mes partnerëve të koalicionit vazhdojnë. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se rikonstruimi nuk bëhet për shkak të rezultateve të ministrave, por për prioritetet që i kanë partitë, kurse me këtë paralajmëroi dhe këmbim të resorëve.
“Çdo rikonstruim nuk është rikonstruim vetëm për shkak rezultateteve, nëse ato kanë qenë të mira ose jo mjaftueshëm të mira, ose ndoshta fare nuk ka pasur rezultate. Ndonjëherë rikonstruimi bëhet për shkak se ndryshohen prioritetet”.
“Të martën fillimisht të kalojë seanca e Komitetit Ekzekutiv, ndërsa mandej t’i themi cilët janë resorët, cilët janë emra. Por në thelb bëhet fjalë për ndryshim të portfoliove dhe ndryshim të prioriteteve te partnerët qeveritar të koalicionit”, tha mbrëmë kryeministri Hristijan Mickoski.
Ndërkohë në opinion qarkullojnë zëra për disa kombinime të mundshme mes ministrive. Meqë VLEN ka prioritet çështjen e jurisprudencës, jozytarisht flitet se do t’i jepet të udhëheqë me resorin e Ministrisë së Drejtësisë të cilin tash e udhëheqë kuadri i ZNAM-it, Igor Fillkov. VLEN gjithashtu pritet të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës, por edhe atë të Sportit. Megjithatë, partneri shqiptar në Qeveri do të duhet të lëshojë një ndër resorët më të mëdha, atë të Shëndetësisë, dhe plotësisht atë të eurointegrimeve. Me këtë, VMRO-DPMNE-ja së bashku me Ministrinë e Jashtme, e merr në duar njëqind për qind politikën e jashtme. VLEN gjithashtu do ta humbë edhe Politikën Sociale të cilën aktualisht e drejton Fatmir Limani.
Dy ministrat që përfliten se do të jenë të përfshirë me rikonstruimin, ai i Shëndetësisë që vjen nga VLEN, Azir Aliu dhe ai i Kulturës që vjen nga VMRO-DPMNE, Zoran Lutkov nuk dhanë përgjigje konkrete nëse do të ikin nga pozitat që mbajnë.
“Kjo është çështje institucionale, nuk është çështje personale, pasi nuk kishte konkurs që unë të aplikoj që të bëhem ministër, por ky është funksion politik dhe në fund të ditës dhe për atë është institucionale dhe institucionet duhet të përgjigjen se kush do të jetë në krye të një ministrie ose në këtë rast të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Ashtu siç thatë janë informata jozyrtare, është në proces, ka bisedime. Kështu që shpresoj që deri në fund të kësaj jave do t’i keni të gjitha informatat e nevojshme”, deklaroi Zoran Lutkov, ministër i Kulturës.
Nga ana tjetër, në këmbim të Ministrisë së Drejtësisë, partisë së Maksim Dimitriovskit ZNAM, i është ofruar resori i Bujqësisë, të cilin aktualisht e udhëheqë kuadri i VMRO-DPMNE-së, Cvetan Tripunovski. Megjithatë, jozytarisht flitet se kjo ofertë nuk është pritur pozitivisht në qarqe partiake.
“Në tavolinë janë të gjitha temat të hapura, nuk ka marrëveshje përfundimtare për asnjë çështje. Bisedimet vazhdojnë në ditët e ardhshme dhe presim zgjidhje të gjitha ngjarjeve të jetë nga mesi i javës së ardhshme”deklaroi sot Nikolla Memov, zëdhënës i ZNAM.
Dy vjet nga formimi, ky është rikonstruimi i parë i Qeverisë së Mickoskit, ndonëse pas zgjedhjeve lokale kishte disa lëvizje për shkak të rezultati zgjedhor. Respektivisht, Izet Mexhiti u largua nga pozita e ministrit të Mjedisit Jetësor, ndërsa në vend të tij si ministër i Mjedisit erdhi Muhamet Hoxha, kurse në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, i cili njëkohësisht e ushtron edhe pozitën e ministrit për Çështje Eurointegrime, pasi nga kjo pozitë u largua Orhan Murtezani./Alsat.mk.







