Avokati i Popullit: Persona të dënuar po trajtohen në spital psikiatrik pa diagnozë
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Një inspektim i jashtëzakonshëm i ekipit parandalues kombëtar pranë Avokatit të Popullit ka regjistruar një sërë shkeljes nëpër Institucionet korrektuese. Në Spitalin psikiatrik “Demir Hisar” janë gjetur rreth 20 kriminelë të dënuar të cilët nuk kishin sëmundje mendore, ishin të shëndetshëm dhe të aftë, por që kishin mashtruar sistemin dhe gjykatat për shëndetin e tyre. Zv.Avokatja e Popullit Sonja Trifunovska tha se të punësuarit në “Demir Hisar” janë të lodhur. Në dëm të pacientëve të vërtetë, ata detyrohen të punojnë si personel sigurie, sepse të dënuarit që kanë ardhur atje me lidhje vetëm për të shmangur burgun, ngacmojnë, abuzojnë, frikësojnë, viktimizojnë të sëmurët.
“Për më tepër, u theksua se spitali nuk disponon kapacitete dhe kushte të përshtatshme sigurie për përkujdesjen e personave me këtë profil, për shkak të së cilës arratisjet nga institucioni paraqesin një dukuri që ndodh relativisht shpesh. Fatkeqësisht, në periudhën e kaluar është regjistruar edhe një rast vetëvrasjeje”, tregoi Sonja Trifunovska, Zv.Avokate e Popillit.
Ajo foli edhe për gjendjen e rëndë në burgjet e Shutkës, Idrizovës, Kumanovës, Strugës, Institucionin Korrektues të Tetovës, Edhe pse në disa vende janë bërë përmirësime, si në Idrizovë, mbipopullimi mbetet ende problem serioz, veçanërisht në disa reparte si ai i grave.
“Edhe këtë vit konstatuam kushte të papërshtatshme akomodimi në një pjesë të burgjeve, sfida në sigurimin e mbrojtjes shëndetësore në kohë dhe të qasshme, mungesë personeli të mjaftueshëm në institucione, mungesë të trajnimeve të specializuara për një pjesë të stafit, si dhe mangësi materiale-teknike që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit dhe kushtet në të cilat qëndrojnë personat e privuar nga liria”, tha Sonja Trifunovska, Zv.Avokat i Popullit
Trifunovska foli edhe për stacionet policore të cilët nuk kanë kushte themelore pune.
Në vende ku akomodohen ose mbahen të huaj dhe kërkues të azilit, në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare Sopot, Qendra e Përkohshme Transitore Tabanoc dhe Stacioni Policor për Kontroll Kufitar Tabanoc janë konstatuar mungesë e personelit dhe hapësirave të posaçme për ndalim dhe intervista. Për shkak të kësaj, personat mbahen në zyra të zakonshme policore, gjë që vështirëson punën dhe rrit rrezikun e trajtimit jo adekuat./Alsat.mk.







