Ligji i ri për dhurimin e organeve: qytetarët do të deklarohen paraprakisht
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Ligji i ri për dhurimin e organeve do tu mundësojë qytetarëve të deklarohen paraprakisht nëse janë për ose kundër dhurimit të organeve të tyre pas vdekjes. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, thotë se në ligj parashihet që çdo qytetar kur shkon te mjeku amë do të përballet me një pyetësor për dhurimin e organeve pas vdekjes. Përmes sistemit Termini im, mjekët do të kenë qasje të menjëhershme në dosjen e pacientit. Gjithashtu, sistemi do të ketë një shenjë vizuale ngjyrë të kuqe, që tregon menjëherë nëse personi është deklaruar si dhurues ose jo.
“Automatikisht krijohet një bazë e të dhënave me të gjitha përgjigjet dhe automatikisht ne, në kohë reale, çdo ditë do ta dimë sa dhurues potencialë të organeve kemi në shtet. Kjo do t’ua mundësojë personave profesionalë në klinika, të cilët drejtpërdrejt merren me këtë, t’i dinë dhuruesit potencialë në shtet. E dini se procesi i dhurimit është shumë i ndërlikuar; duhen bërë disa analiza që të arrihet deri te organi dhe të përcaktohet nëse ai do të pranohet në trupin tjetër apo jo”, tha Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë
Sipas Aliut, sistemi i ri për dhurimin e organeve do të thjeshtojë dhe shpejtojë procedurat administrative, duke shmangur nënshkrimet dhe miratimet e shumta nga ministri, koordinatori dhe ekspertët, me qëllim që transplantimi të realizohet më shpejt.
Ligji është në procedurë parlamentare kurse gjatë ditës me shumicë votash u votua nevoja për miratimin e tij me procedurë të shkurtuar./Alsat.mk.







