Optimizëm për marrëveshjen Rusi-Ukrainë

Gazetar: Luka Andreev

“Nëse ka një për qind mundësi për ta ndalur luftën, duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski për televizionin CNN, duke shtuar se një dështim i mundshëm për të negociuar me Moskën do të çonte në Luftën e Tretë Botërore.shkruan Alsat.

“Forcat ruse erdhën për të na shfarosur, për të na vrarë. Me dinjitetin e popullit tonë dhe ushtrisë sonë, kemi treguar se mund të japim goditje të fortë, mund të kundërpërgjigjemi. Por, për fat të keq, dinjiteti ynë nuk do të shpëtojë jetë. Mendoj se duhet të përdorim çdo format, çdo rast për të negociuar, për të biseduar me Putinin. Por nëse këto përpjekje dështojnë, do të thotë se kjo është Lufta e Tretë Botërore”, tha  Volodimir Zelenski- president i Ukrainës

Takimi i mundshëm mes Zelenskit dhe Putinit mund të mbahet në Turqi, ka thënë ministri i jashtëm Mevlut Çavushogllu. Në një deklaratë për të përditshmen “Hurijet”, ai thotë se Moska dhe Kievi po afrohen më shumë për çështjet kritike, duke vënë në dukje se një armëpushim është i mundshme nëse asnjëra palë nuk tërhiqet nga pozicion aktual.

Por ndërkohë, luftimet në terren po intensifikohen dhe vazhdimisht numërohen viktima civile. Kremlini përsërit se qëllimet e operacionit special ushtarak do të përmbushen dhe Kievi kërkon sërish ndalimin e fluturimeve mbi territorin ukrainas. Së fundi, një thirrje të tillë u bëri deputetëve të vendeve perëndimore, kryetarja e Parlamentit të Ukrainës.

“Parlamentet e tre shteteve baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia, javën e kaluar dhanë shembull të mirë se çfarë mund të bëjnë ligjvënësit. Mund t’u bëni thirrje qeverive tuaja të mbyllin hapësirën ajrore mbi Ukrainë. Duhet ta bëni këtë për të mirën e miliona ukrainasve dhe për të mirën e sigurisë evropiane dhe botërore”, tha Ruslan Stefançuk – Kryetar i Kuvendit të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg paraprakisht e ka hedhur poshtë kategorikisht idenë e mbylljes së hapësirës ajrore, nga frika se kjo do të çonte në një luftë midis NATO-s dhe Rusisë. Mbrojtja e Rusisë akuzoi sot ukrainasit se përmes sabotimeve do të bëjnë presionin që NATO ta mbyll “qiellin”.

“Regjimi nacionalist i Kievit po planifikon sulme ndaj misioneve diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore, duke i paraqitur ato si sulme të supozuara të organizuara nga forcat ruse. Qëllimi kryesor i këtij provokimi është të rrisë presionin ndaj vendeve të NATO-s për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë dhe për të furnizuar me më shumë armë”, tha Igor Konashenkov – zëdhënës i Ministrisë Ruse së Mbrojtjes

Më herët, Putin theksoi se një mbyllje e mundshme e qiejve nga vendet anëtare të NATO-s do të interpretohej si fillimi i një lufte me Rusinë.

LEXO EDHE:

Back to top button