Orban: Pa Serbinë në BE, Ballkani jostabil
Orban: Pa Serbinë në BE, Ballkani jostabil
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit e ka përsipër kryesimin gjashtëmujor të BE-së, ka folur për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Orban kritikoi BE-në se nuk po i mban premtimet që ua kishte dhënë vendeve të këtij rajoni para 20 vjetëve, duke theksuar rastin e Serbisë. “Duhet të fokusohemi sidomos në Serbinë. Pa Serbinë, ne nuk mund ta stabilizojmë Ballkanin derisa Serbia të mos jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ballkani mbetet një rajon jostabil”, ka thënë Orban. Gjatë fjalimit të tij, Orban shtoi se edhe pse disa vende kandidate i kanë përmbushur obligimet, ato nuk kanë lëvizur në procesin e negociatave për anëtarësim.
Ai gjithashtu bëri thirrje për “ndryshim” në Bashkimin Evropian. Si aleati më i afërt i presidentit rus, Vladimir Putinit, brenda Bashkimit Evropian, qeveria nacionaliste e Orbanit është në përplasje me partnerët e saj për një sërë çështjesh – nga ndalimi i ndihmës për Kievin, deri te miratimi i një sërë ligjesh që blloku i sheh si prapambetje demokratike.
“Një pikë e rëndësishme e presidencës sonë është politika e zgjerimit. Të nderuar zonja dhe zotërinj, pa integrimin e Ballkanit, Evropa nuk do të jetë kurrë plotësisht e bashkuar. Njëzet vjet më parë, ne u premtuam vendeve të Ballkanit Perëndimor se do t’i merrnim. Kjo është arsyeja pse Presidenca hungareze bëri thirrje për një samit të Bashkimit Evropian – Ballkani Perëndimor, dhe zgjerimi duhet të jetë i bazuar në merita. Pa Serbinë, asnjë zgjerim nuk do të jetë i suksesshëm”, deklaroi Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë. /Alsat.mk