Organizata e Konsumatorëve kërkon ngrirjen e çmimit të bukës

Shkruan: Andrea Çobanova

Rritja e çmimeve nëpër dyqane ka bërë që qytetarët të ulin blerjen e produkteve themelore ushqimore. Vaji për ushqim sërish shitet mbi 100 denarë, çmimi i sheqerit dhe miellit është rritur për 2 deri në 5 denarë.

Paralajmërohet edhe rritje me 10 për qind e çmimit të bukës. Organizata e konsumatorëve thotë se është koha që për një periudhë të caktuar të ngrijë çmimi i bukës dhe të mendohet për subvencione për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve.

“Qytetarët janë ata që me vetëdije ulin konsumin e produkteve themelore dhe mendojnë kur blejnë sepse çmimet e produkteve rriten nga 3 deri në 5 për qind dhe kjo ndikon në jetën e përditshme dhe standardin e tyre të jetesës. Mbetet të shihet se si do të kufizohet çmimi i bukës për lloj të caktuar të bukës, kjo nuk është prej dje, ne kemi kërkuar kufizim të tillë dhe e kemi arritur”,  tha Mirjana Llonçar, kryetare e Organizatës së konsumatorëve

Edhe Sindikatat ngrenë zërin. Qeverisë i dhanë 30 ditë afat për ta rritur pagën minimale në 18 mijë denarë ose do të dalin në protestë. Këtë e bazojnë në rritjen e vazhdueshme të shportës, e cila në tetor arriti në 34.584 denarë. Sipas llogaritjeve të tyre, kjo është rritje prej 200 denarë për vetëm një muaj:

Ushqim dhe pije 14.779 denarë

Shpenzime për fatura 10.879 denarë

Higjienë 2.390 denarë

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet me pakicë në tetor krahasuar me të njëjtin muaj vitin e kaluar janë rritur për 6,1 për qind. Deri më tani nuk ka njoftime konkrete nga autoritetet nëse po mendohet për ngrirje të mundshme të çmimeve të ushqimeve themelore apo vendosjen e masave për familjet e varfra. / alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button