Osmani në takim me drejtorët ekonomik të spitaleve, dikur qeveria LSDM-BDI kërkonte shkarkimin e tyre

Osmani në takim me drejtorët ekonomik të spitaleve, dikur qeveria LSDM-BDI kërkonte shkarkimin e tyre

Gazetar: Suad Bajrami

Kandidati i BDI-së për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, në kuadër të fushatës që ende nuk ka filluar zyrtarisht, mblodhi në takim ish drejtorët ekonomikë dhe organizativë të spitaleve, të cilët u shfuqizuan në Kuvend në korrik të vitit të kaluar. Osmani, në mbishkrimin e videos së shpërndarë nëpër rrjetet sociale, i cilësonte ish-drejtuesit e institucioneve si shembull i barazisë dhe përfaqësimit. Megjithatë, drejtorët që shtetit i kushtonin rreth 2 milion euro në vit, kishte tentuar t’i hiqte edhe vetë qeveria e atëhershme me BDI-në në koalicion. Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, pati deklaruar se ishte rënë dakord me të gjithë pjesëmarrësit në qeveri që prej 1 janarit të vitit 2024 këta drejtorë të shfuqizoheshin pasi ishin të panevojshëm.

“Thash se me të vërtetë në këtë hapësirë që jetojmë është hapësirë e vogël, rreth 1 kilometër katrorë 66 drejtorë dhe 33 subjekte juridike, borde udhëheqëse që fare nuk nevojiten dhe sipas statistikave tona dhe llogaritjeve. Prisni miratim nga Qeveria që të shfuqizohen ato vende? Saktë dhe ne jemi marrë vesh edhe në qeveri edhe me të gjithë dhe i shqyrtojmë edhe me Fondin për Sigurim Shëndetësor, merremi vesh se më së miri është që prej 1 janarit 2024 që unë mbështes që prej atëherë të fillojë të funksionojë”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Se janë të panevojshëm kanë qenë këta drejtorë, këmbëngulte edhe ish ministri Arben Taravari, tani bashkëpunëtor i BDI-së. Në seancën kuvendore kur u votuan ndryshimet ligjore për Mbrojtje Shëndetësore, Taravari arsyetoi vendimin për t’i hequr këta drejtorë, ndërsa BDI me heshtje e ndoqi miratimin e ndryshimeve ligjore. Jo vetëm që nuk votoi kundër, por nik mori as fjalë për të kundërshtuar.

“Mendoj se me dy drejtorë në institucionet shëndetësore krijuam vetëm paralelizëm në udhëheqje, por edhe emërime të zmadhuara të drejtorëve. Në qoftë se shihet në aspektin politik mundet se edhe ma mirë është që të mbahen dy drejtorë, por në aspekt funksional unë mendoj se kjo definitivisht nuk funksionojë. Bile si ministër. Unë s’dua t’ju lodh më shumë me këtë ligj sepse ndryshohen vetëm gjëra të vogla, tërhiqen drejtorët ekonomikë, por gjithsesi këtu jam për t’iu përgjigjur të gjitha dilemave në qoftë se i keni si deputet”, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.

Gjetjet e mediave, institucioneve, por edhe vetë politika në vazhdimësi kishte kritikuar se kuadrin ligjor të vendosur në vitin 2006 me qëllim që njëri prej drejtorëve të merrej me aspektin ekonomik dhe organizativ të spitalit, ndërsa tjetri me aspektin mjekësor. Por, në fakt kjo nuk kishte funksionuar. Alsat në maj të vitit 2023 ka raportuar se pas kontrolleve të Fondit Shëndetësor nëpër klinika ishte konstatuar se disa prej drejtorëve organizativë kishin marrë paga më të larta se ato të rregulltat, duke rritur koeficientet në mënyrë të paligjshme. Madje, kishte pasur raste që disa drejtorë kishin marrë mëditje për kujdestari, gjatë kohës që kishin qenë në udhëtime zyrtare, pushime vjetore apo ditë të lira. Keqpërdorime të tjera sa u përket kujdestarive ishin konstatuar edhe në Klinikën e Neurokirurgjisë, Kardiokirurgjisë, Pediatrisë dhe Kirurgjisë Digjestive të Fëmijëve, por edhe Nefrologjisë. Heqjen e drejtorëve organizativë e kishin premtuar edhe ministrat Venko Filipçe dhe Bekim Sali. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button