Osmani për mediumin portugez: Kosova e përkushtuar në dialog, Serbia vazhdon me fushatë agresive ndërkombëtarisht
Ajo ka dhënë një intervistë për median porgtueze “DN” ku ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe ka theksuar se ky shtet po vazhdon me synimet destabilizuese në raport me Kosovën.
“Ballafaqimi me të kaluarën është shumë i rëndësishëm nëse duam që rajoni ynë të ecë përpara dhe pavarësisht përkushtimit të Kosovës për dialogun shtet-me-shtet me Serbinë për të siguruar që të ketë marrëdhënie të mira tregtare, që të mos ketë pengesa për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzit dhe se ne nuk e bllokojmë njëri-tjetrin ndërkombëtarisht, Serbia ka bërë të kundërtën”.
“Serbia vazhdon të zhvillojë një fushatë agresive kundër Kosovës, ndërkombëtarisht, vazhdon të abuzojë me dialogun duke u përcjellë informacione të gabuara disa vendeve, veçanërisht atyre që janë gjeografikisht më larg, duke thënë se dialogu ka në qendër statusin e Kosovës – gjë që padyshim nuk është – dhe ka kryer një sërë nismash destabilizuese, me ndihmën e Rusisë, duke mbajtur gjallë tensionet dhe konfliktet dhe duke e lënë rajonin tërësisht jashtë integrimit europian, duke shkuar kundër asaj që duam dhe mbrojmë”.
Presidentja mes tjerash ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në komunikim me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë.
“Pavarësisht gjithë kësaj, përpjekjet tona janë të sinqerta, jemi shumë të sigurt në synimet tona, flasim sinqerisht me miqtë tanë në BE, SHBA dhe më gjerë, kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët tanë dhe hapat që hedhim janë drejt marrëdhënieve të mira me Serbia, por për fat të keq nuk mund të them se Serbia po bën të njëjtën gjë”, ka thënë Osmani.








