Osmani: Sakrifica e brezave trasoi rrugën euroatlantike të Kosovës
Osmani: Sakrifica e brezave trasoi rrugën euroatlantike të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ceremonisë se ngritjes se flamurit tha se sakrifica për të arritur në këtë ditë ka qenë shekullore.
Siç tha ajo, sakrifica e brezave trasoi rrugën euroatlantike të Kosovës.
“I uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran dhe të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë. Në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë, dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka që ne sot ta gëzojmë shtetin. Natyrisht që sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore. Shpeshherë ne fokusohemi te vitet e fundit, 80-ta e 90-ta, por në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin e pavarur të Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për të gjithë që kontribuuan. Shprehim respektin më të thellë për rrugën dhe kontributin e presidentit tonë historik, atit themeltar dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, për sakrificën e familjes Jashari, në krye me komandantin Adem Jashari, për mijëra dëshmorë, heronj të UÇK-së, për të gjithë ata që dhanë jetën, dhanë mundin dhe bënë sakrificë në mënyrë qe sot të gjithë së bashku t’i gëzohemi shtetit tonë. Natyrisht që është kjo sakrificë që ka trasuar rrugën tonë përpara, për forcimin e shtetit tonë drejt rrugës euroatlantike, në këtë familje ku ne gjithmonë e kemi pasur vendin”, tha Osmani.








