Pa certifikatën e vaksinimit as në transport publik, Italia me masa të rrepta kufizuese deri kah mesi i janarit

Në Italia sot kanë hyrë në fuqi masat e rrepta kundër coronavirusit, ku personat e pavaksinuar do të privohen nga shumë aktivitete publike, e madje nuk do të mund të përdorin as transportin publik pa certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Nga sot (e hënë), të gjithë ata që janë vaksinuar apo janë shëruar nga COVID-19, mund të hanë nëpër restorante, shkojnë në kinema e të dalin nëpër klube të natës dhe të shikojnë ndeshje futbolli nëpër stadiume, transmeton Telegrafi.

Qeveria e kryeministrit italian Mario Draghi, ka miratuar rregullat e reja në fund të nëntorit që do të mbesin në fuqi deri më 15 janar.

Rregullat e reja mbështeten edhe në përdorimin e transportit publik dhe në hoteleri. Për shembull, deri më tani pasagjerët që udhëtonin me tren në relacione të gjata është dashur të tregojnë dëshmi se janë vaksinuar, shëruar nga COVID-19 apo të kenë testin negativ të coronavirusit.

E nga sot, “certifikata e gjelbër” do të nevojitet për shfrytëzimin e metrosë dhe autobusëve. Këto masa nuk vlejnë për fëmijë nën moshën 12-vjeçare. Por sipas planeve të qeverisë, vaksinimi i tyre do të mund të fillojë nga 16 dhjetori.

Rregullatori italian për Mjekësi, tashmë ka miratuar përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNtech në sasi më të vogla për fëmijët nga 5 deri në 11-vjeç

Vaksinimi i obligueshëm për personelin e shkollave, policinë dhe ushtrinë do të hyjë në fuqi nga 15 dhjetori, e vaksinimi i obligueshëm për personelin mjekësor është në fuqi nga prilli.

LEXO EDHE:

Back to top button