Pa njohuri, por me para kaloi provimin, kallëzime penale ndaj dy drejtuesve
Ministria e Punëve të Brendshme kangritur kallëzim penal ndaj tre personave, të cilët dyshohen për dhënie dhe marrje të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, si dhe për marrje ryshfeti.
Nga MPB njoftuan se, më 27.07.2026, Njësiti për Krim Financiar pranë Sektorit të Hetimeve Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, drejtuar PThP për NKOK, ngriti kallëzim penal kundër tre personave. A.T. (27) nga Manastiri, mbi dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “dhënie të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 358-a paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, S.Ç. (56) nga Gostivari për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 dhe S.E. (63) nga Shkupi për veprën penale “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Nga ana e nëpunësve policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë janë kryer kontrolle tek i kallëzuari i dytë dhe i tretë, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar mjete financiare në vlerë prej 65.280 euro, 29.840 franga dhe 161.500 denarë. E kallëzuara A.T., si studente e Fakultetit të Stomatologjisë, me qëllim që të fitonte Certifikatë për dhënie të provimit profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë, gjatë muajit dhjetor 2025, pas komunikimeve të shumta përmes platformës Viber, i ka dhënë të kallëzuarit S.Ç., profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve, shpërblim në formën e mjeteve financiare, të cilat ia ka transferuar në llogarinë e tij bankare.
Mjetet financiare i janë dhënë S.Ç. me qëllim që të ushtronte ndikim te i kallëzuari S.E., në cilësinë e kryetarit të Komisionit për dhënie të Provimit Profesional të Punonjësve Shëndetësorë me Arsim të Lartë në Fushën e Stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, me ç’rast e kallëzuara A.T. në sesionin e provimeve të dhjetorit ka dhënë provimin më 17.12.2025 para komisionit të formuar dhe pa i zotëruar njohuritë e nevojshme është pajisur me Certifikatë për dhënie të provimit profesional.








