Paga minimale në Shqipëri mbetet më e ulëta në Evropë

Paga minimale në Shqipëri mbetet më e ulëta në Evropë

Ndonëse po rritet vazhdimisht, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në vendet e Evropës, që e zbatojnë një politikë të tillë.

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara të Eurostat, në fillim të vitit 2023, paga minimale në Shqipëri ishte 297 euro/muaj.

Kjo pagë është 17 për qind më e ulët sesa ajo e Maqedonisë së Veriut, që është e dyta në Evropë për nivelin më të ulët, me të dhënat për këtë shtet që janë të disponueshme për fundin e 2021-t, raporton Monitor.

Paga minimale në Shqipëri është tashmë 45 për qind më e ulët sesa në Serbi, ku asnjë punonjës nuk merr më pak se 460 euro në 2023-n.

Në Mal të Zi, paga minimale është 533 euro.

Në krahasim me fillimin e vitit 2018, më i hershmi që Eurostat raporton të dhënat, diferenca mes pagës minimale të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që e zbatojnë këtë praktikë, është thelluar ndjeshëm.

Në 6-mujorin e parë 2018, paga minimale në Shqipëri ishte 100 euro më e ulët se në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ndërsa në fillim të vitit 2023, paga minimale në Serbi është 192 euro më e lartë sesa në Shqipëri. Një punonjës në Mal të Zi merr minimalisht 234 euro më shumë se një i punësuar me pagë minimale në Shqipëri.

Mali i Zi e ka rritur ndjeshëm pagën minimale dy vitet e fundi, nga 331 euro në fund të vitit 2021 në 532 euro aktualisht. Edhe në Serbi, paga minimale është 460 euro, nga 366 euro ishte në fund të 2021-t.

Të njëjtat diferenca janë edhe për pagat mesatare në rajon, sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, ku mesatarisht punonjësit shqiptarë paguhen 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit.

Pritet rritje tjetër e pagës minimale në vend këtë vit

Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.

Më herët, kur në Kuvend diskutohej buxheti 2023, Kryeministri Rama ka deklaruar se paga minimale do të arrijë në 36 mijë lekë në 6 mujorin e parë të këtij viti, ndërsa deri në fund të viti do të shkojë në 38 mijë lekë.

“Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja”, deklaroi asokohe kryeministri.

Paga minimale u rrit për herë të fundit më shtator të vitit të kaluar.

LEXO EDHE:

Back to top button