Pahor: Të mos shtyhet fillimi i negociatave, konferenca ndërqeveritare të mbahet sa më parë

Me pretendimin se nuk duan të përçojnë asnjë mesazh politik, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe nikoqiri, Stevo Pendarovski vendosën kurora lulesh pranë varrit të Goce Dellçevit. Ky gjest u bë gjatë vizitës “Jo të rastësishme” siç e cilësoi vetë presidenti slloven, në kohën kur pikërisht Goce Dellçevi është një nga çështjet më kontestuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Vizita te varri i Goce Dellçevit është pjesë e Protokollit që ka propozuar Maqedonia e Veriut dhe nuk kam asnjë dyshim ta bëjë këtë”, u shpreh Borut Pahor, President i Sllovenisë.

“Mos guxoni të mendoni se në këtë kontekst politik lidhur me negociatat me BE-në, qëllimisht e kemi vendosur Goce Dellçevin në agjendë! Vizita tek varri i tij është pjesë e protokollit shtetëror dekada me radhë kur vijnë krerë të shteteve të tjera në vizitë”, u shpreh Stevo Pendarovski, President.
Pahor theksoi se konferenca e parë-ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të mbahet sa më parë, ndërsa shtyrja do ta vështirësonte gjetjen e kompromisit mes Shkupit e Sofjes.

“E kuptoj se disa shtete fqinje kanë dyshime shtesë, pikërisht për këtë dua haptazi të them se tani është koha e vërtetë si për solidaritetin mes 27 shteteve anëtare ashtu edhe për diplomacinë, të bëjnë çmos që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet sa më parë, pa shtyrje. E di sa është e ndjeshme çështja, por si mik, ju them se kur bllokoni bëhet edhe më e vështirë gjetja e kompromisit”, tha Borut Pahor, President i Sllovenisë.
Pendarovski ndërkohë është optimist se nuk do të ketë bllokadë nga Bullgaria.

“Kemi qëllim këto ditë sërish ta hapim kanalin e komunikimit me miqtë tanë në Sofje, që u mbyll shkaku i zgjedhjeve dhe pandemisë, do të intensifikohet puna e komisionit të përbashkët të historianëve”, theksoi Stevo Pendarovski, President.

Komisioni i përbashkët i ekspertëve ende nuk ka caktuar datën e takimit. Ndërsa Kryeministri, Zaev paralajmëroi takim me homologun bullgar, Borisov para 10 nëntorit.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button