Pakoja e Arsimit sërish në seancë plenare, opozita me vërejtje
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në Kuvend për herë të dytë u vendosën në rend dite ligjet për arsim të lartë, për çka deputetët e opozitës kanë kundërshtime. Pasi paraprakisht me presion të opozitës që të tre propozim ligjet u tërhoqën nga rendi i ditës, të njëjtat u vendosën sërish. Megjithatë, të njëjtat shërbenin vetëm sa të konfirmohet rendi i ditës, ndërsa debat nuk u zhvillua fare.
Koordinatorja e Frontit Evropian, Rina Ajdari edhe një herë pati vërejtje mbi punën e Kuvendit. Akuzoi se kreu i Kuvendit Afrim Gashi ka shpeshtuar shkeljet e rregullores pasi siç tha, materiali dhe informimi për seancë është dashur të dorëzohen së paku dhjetë ditë më herët.
“Edhe një herë po ua bëj me dije qëndrimin e grupit parlamentar të Frontit Evropian që duhet me patjetër të respektohet rregullorja e Kuvendit, të respektohet ky nen për thirrjet e seancave dhe që nuk do të lejojmë sot e tutje që në këtë formë të keqpërdoret rregullorja e Kuvendit dhe të shkelen nenet e kësaj rregulloreje”, deklaroi Rina Ajdari, koordinatore e Frontit Evropian.
“Rregullorja është e qartë. Unë mundohem që ti thirre seancat, ti mbaj dhe ti udhëheqë në bazë të rregullores gjithmonë. Në bazë të nenit 74 paragrafi 2 kur ka seanca të jashtëzakonshme, ne kemi mundësi që materialet ti dorëzojmë edhe më herët”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Paraprakisht, mbi pakon e ligjeve u zhvillua debat i ashpër në komisionin për arsim. Të njëjtat kaluan në lexim të parë por deputetët u dakorduan që të zhvillohet edhe një debat publik. Në debat duhet të marrin pjesë profesorë universitarë, përfaqësues të universiteteve dhe ekspertë. Opozita ka paralajmëruar edhe amendamente para se ligjet të kalojnë në miratim. /Alsat.mk








